AKTUALITET, 25 Shtator 2017, 18:43

Rama nuk e do vettingun, 70 persona minus për 'pastërtinë'

Rama nuk e do vettingun, 70 persona minus për

LSI deklaron se ka fakte, se Rama nuk e do vetingun, procesin më të rëndësishëm në reformën në drejtësi në vend.

Deputeti i LSI-së Nasip Naço, në një deklaratë për mediet nga kryesia e Kuvendit, iu referua faktit se mazhoranca nuk e votoi shtesën prej 70 personave, të nevojshëm për funksionim normal të strukturave të Vetingut. Sipas deputetit të LSI-së, mazhoranca po përpiqet të vërë nën kontroll institucionet e pavarura.

“Duam t'i bëjmë me dije opinionit publik se kërkesa për mbështetje të strukturave të Vetingut ishte tepër e thjeshtë, pra ata kërkonin një shtesë prej rreth 70 personash për të siguruar në çdo rast një funksionim normal të strukturave të Vetingut. Në mënyrë të qartë u provua që përbetimet për Vetingun nga ana e Partisë Socialiste rezultuan vetëm demagogji, pasi kjo shtesë nuk u votua prej tyre dhe bëhej fjalë siç e thashë edhe më lart për rreth 70 persona, në një kohë që vetëm Kryeministri ka një staf të tij prej rreth 1300 punonjësish, ku në stafin e tij të ngushtë punojnë 600, thënë më thjesht kërkohet një shtesë gati sa 1/10 e ushtrisë së Edi Ramës që siç dihet në vend të punës merret vetëm me komente në Facebook dhe të tjera punë të paqarta.” – thuhet ndër të tjera në deklaratën e Naços.

Komisioni i Ligjeve miratoi sot 113 punonjës, si pjesë e stafit të tri institucioneve të rëndësishme të Vetingut, nga 185 punonjës që ishte kërkuar për të trija organet.