AKTUALITET, 25 Shtator 2017, 11:34

“Despacito” e bëri të famshme lagjen “La Perla”, që “Maria” e ktheu në rrënoja

    

 

      Ishte koha kur “Despacito” po njihej dhe po bëhej kënga më e klikuar e të gjitha kohërave, me plot 3.8 miliardë shikime në“Youtube”. Po kaq të famshëm për publikun u bënë edhe krijuesi i saj, Luis Fonsi dhe lagjia “La Perla” në San Juan të Porto Rikos, ku u realizuan pjesa më e madhe e vidioklipit.

Videoja hapet me plazhet në “La Perla”, me godinat shumëngjyrëshe, shkrimet në mure dhe kulturën tipike të Porto Rikos.

Por, uragani “Maria” e ktheu në rrënoja lagjen “La Perla”, sikurse bëri me pjesën tjetër të ishullit amerikan dhe Karaibeve, më herët gjatë javës.

Fototografitë që qarkullojnë në rrjet tregojnë shkatërrimin në “La Perla” e gjetkë. Godinat kanë mbetur pa çati dhe muret e shtëpive janë shembur.

Këngëtari i suksesshëm portorikan, Fonsi, nxitoi të postonte fillimisht një vidio me përmbytjet masive në lagje. Më pas, publikoi dy foto krah njëra-tjetrës, ku zona që u bë e famshme në vidioklipin e hitit të tij, shfaqej para dhe pas uraganit.

“Kjo pamje ma copëton zemrën”, shkruan Fonsi, duke besuar se ishulli do të rikthehet shumë shpejt siç ishte.