AKTUALITET, 25 Shtator 2017, 12:23

Veliaj bën rikonstruksionin e radhës, ndërsa shkollat në Tiranë vazhdojnë mësimet me turne

Veliaj bën rikonstruksionin e radhës, ndërsa shkollat në

Kryebashkiaku Erion Veliaj dhe stafi i tij vazhdojnë të shpërndajnë materiale filmike të gatshme në media për investimet e kryera nga kjo bashki. Sipas materialit më të fundit një tjetër shkollë ka nisur të modernizohet dhe të rris rrjedhimisht standardet për nxënësit e kryeqytetit. Në fakt realiteti është pak ndryshe, duke filluar nga shkollat 9-vjeçare të qendrës së Tiranës si Emin Duraku e Edith Durham, dhe deri tek gjimnazet si Sami Frashëri e Ismail Qemali, mësimi vazhdon me turne. Numri i nxënësve në klasa mbetet tepër i lartë dhe fëmijët e ciklit fillor u duhet të dalin nga shkolla mbasdite vonë duke prishur të gjithë aktivitetin e tyre të rregullt ditor. Kryebashkiaku Veliaj çdo fillim të vitit shkollor paralajmëron se ky do të jetë viti i fundit që mësimi do të vazhdojë me turne, por ndërsa vitet kalojnë turnet mbeten aty.

Pas hapjes së 4 shkollave të reja në Tiranë, tre prej të cilave të ndërtuara nga e para, sapo nisi rikonstruksionin e plotë të shkollës 9-vjeçare “Dora d’Istria”. Shkollës do t’i shtohen 11 klasa të reja, ndërsa e gjithë godina do të pajiset për herë të parë me një sistem qendror ngrohjeje.

Kryebashkiaku i Tiranës Erion Veliaj inspektoi punimet dhe tha se në përfundim të këtij investimi nxënësit e shkollës do të kenë jo vetëm mjedise më të mira dhe më të ngrohta, por do kenë mundësi që mësimin ta zhvillojnë vetëm në një turn.

 “U kërkoj mirëkuptim prindërve , - tha Veliaj, - që, teksa po bëjmë mësim në shkollat alternative, se në një periudhë prej pak muajsh do të kemi totalisht të rikonstruktuar shkollën ekzistuese plus klasat e reja, që zgjidhin të gjithë këtë anomali që kemi pasur në Njësinë 10. Ashtu si edhe në Njësinë 8, edhe në disa njësi të tjera të Tiranë i kemi dhënë fund mësimit me dy turne, gradualisht në të 24 njësitë do të vazhdojmë me këtë ritëm për t’u siguruar që fundi i këtij mandati na gjen të sistemuar. Ne mund të kemi debate të tjera në zgjedhjet e ardhshme, por jo debatin e shkollave me dy turne”, tha Veliaj.

Projekti i rikonstruksionit që ka nisur të zbatohet në këtë shkollë parashikon që në anën jugore të oborrit ngjitur me godinën ekzistuese të ndërtohet një shtesë 3 katëshe për 11 klasa mësimi dhe vendosja e dhomës teknike në katin përdhe. Klasat do të jenë të vendosura në dy krahët e korridorit si një vazhdim i atij ekzistues. Gjithashtu, shkolla do të ketë një sistem qendror ngrohje dhe për këtë qëllim po bëhen instalimet për të rritur dhe përmirësuar mirëfunksionimin e të gjitha ambienteve për nxënësit dhe mësuesit. Në shkollë do të bëhen edhe një sërë punimesh të tjera, si ndërrim i dyerve dhe dritareve, instalimet elektrike dhe hidraulike, rikonstruksion i gjithë nyjave sanitare si dhe izolimi i tarracës.