AKTUALITET, 20 Qershor 2019, 13:14

Përgjimet e Bild/ Krenohet Rama: Biseda si ajo kam bërë me mijëra

Përgjimet e Bild/ Krenohet Rama: Biseda si ajo kam bërë me


Kryeministri Edi Rama ka reaguar sot në punimet e seancës plenare për 10 përgjimet e radhës të publikuara mbrëmjen e djeshme nga tabloidi gjerman “Bild” mbi dosjen 184 për zgjedhjet e vitit 2016 në Dibër.

Nga foltorja e Kuvendit, kreu i qeverisë u shpreh se ky është një skenar i përgatitur nga opozita, e cila ka për qëllim të pengojë hapjen e negociatave të Shqipërisë në Bashkimin Evropian.

“Marrja peng e procesit zgjedhor, është një orvatje për t’i mbyllur Shqipërisë derën e negociatave.

I gjithë plani, me përgjime të pahetuara, por të mbyllura në kasafortë, më pas të dërguara te partia, para se ata të dalin në Gjermani, gjetja e vendit pikërisht në Gjermani, kalendari i daljes së përgjimeve i përputhur me kalendarin e protestave, flasin vetë për këdo që dëshiron të shikojë dhe të mendojë.

Ato përgjime po e kryejnë funksionin e tyre për objektivin që janë bërë në një betejë zgjedhore ku ka qenë e instaluar e gjithë PD me në krye Bashën, deputetet dhe grupe që ushtronin presion dhe dhunë dhe çuditërisht është vendosur antena mbi shatin e PS dhe jo mbi palën tjetër".

Rama paralajmëroi se do t’u kërkojë gjykatave gjermane të zbardhin të vërtetën lidhur me gjithçka që është thënë referuar atij.

“Brenda 4 javësh unë do i kërkojë gjykatave gjermane që të zbardhin tërësisht të vërtetën, lidhur me gjithçka është thënë në adresën time, ndërkohë që atë bisedë unë e kam bërë dhe do ta përsërisja përsëri dhe biseda të atilla kam bërë me mijëra me gjithë shtabet në vend,”- tha Rama.