TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
Deputeti i Partisë Demokratike, Edi Paloka, njëherësh nënkryetari i Kuvendit, argumentoi gjatë një interviste për TPZ.al se, kërkesa e opozitës për debat ishte më se e ligjshme dhe zbatohej në rregulloren e Kuvendit të Shqipërisë, pavarësisht justifikimit alogjik të përdorur nga shumica se nuk ishin të përgatitur për debat.
“Ata mund të mos jenë të përgatitur për katër vitet në vazhdim dhe i bie që opozita të mos flasë kurrë, pasi seanca nuk është përgatitur. Nëse do të vazhdojmë me këtë logjikë, atëherë (Kryetari i Kuvendit) Gramoz Ruçi mund të thotë se nuk ka debat, pasi ne nuk jemi të përgatitur për këtë pikë” - tha deputeti demokrat për TPZ.al.
BILBILAT E PS-së
I pyetur se nëse do të ishte e mundshme, për të gjetur një zgjidhje e pranueshme nga të dy palët, nisur edhe nga fakti se dikur ishte mazhoranca e sotme ajo që u binte bilbilave gjatë punimeve në seancat plenare, nënkryetari i PD-së e përjashtoi paralelizmin me aksionin e tyre të sotëm politik.
“Absolutisht nuk është e njëjta gjë. Argumenti i mazhorancës ishte: ne nuk jemi të përgatitur për debat; na jepni kohë të përgatitemi. Ramë dakord edhe për këtë: për një kohë të mjaftueshme logjike, për t’u përgatitur. Por, kjo duhet të vendoset bashkërisht. Nuk mund të thuash se do ta shtyjmë një javë diskutimin e një çështje, që në fakt është çështje e ditës. Një ditë mund të pranueshme, por jo një javë. Që këtu duket argumenti që na u dha nga mazhoranca, por me një tentativë të qartë për të mbyllur gojën e opozitës”, - tha Paloka.
AKSIONI POLITIK
Deputetët e Partisë Demokratike, qysh nga mesdita kanë pushtuar foltoren e Parlamentit, duke mos lejuar vazhdimin e punimeve.
“Do të rimë këtu derisa të zbatohet rregullorja, dhe çka është edhe më e rëndësishmja, të drejtën e opozitës për të thënë fjalën e saj në Parlament. Për ne nuk është problem që të rimë gjatë gjithë natës, nëse mazhoranca nuk do të tërhiqet nga ky absurditet”, - theksoi Paloka, duke iu referuar edhe aksionit të mëtejshëm të opozitës.
DEPUTETËT E INKRIMINUAR
Përsa i përket çështjes së dy deputeteve Aqif Rakipi dhe Gjetan Gjetani, me një “të kaluar kriminale”, sipas opozitës, dhe për faktin që PD nuk e kishte shtruar më përpara zyrtarisht kërkesën, Paloka tha se këto janë “çështje që u përkasin ‘Ligjit të Dekriminalizimit” dhe sigurisht që lidhen me marrje informacionesh dhe detyrimin që kanë institucionet, për të verifikuar ato.
“Gjithmonë mbetet në dorën e institucioneve, për të verifikuar ato nëse informacionet që një grup interesi apo dhe një parti politike i ka. Çdo individ ka të drejtë të kërkojë. Mbas verifikimit, sigurisht që do të merren edhe vendimet përkatëse”, tha Paloka për TPZ.AL.
/TPZ.AL/Intervistoi: Nertil Agalliu