TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
Ish-kreu i Vetëvendosje, Albin Kurti ka reaguar lidhur me përplasjen që pati me Edi Ramën, zhvillimet në Kosovë dhe idenë e vazhdueshme të tij, për bashkimin kombëtar. Në një intervistë për gazetën ‘Tema’, Kurti theksoi se deklaratat e Ramës për Kosovën dhe demarkacionin me Malin e Zi janë bërë nën mungesë informacioni.
Intervista e plotë:
Para disa ditësh ju reaguat ndaj deklaratës së Kryeministrit të Shqipërisë, z. Rama lidhur me qëndrimit e Kryeministrit të Kosovës për demarkacionin e kufirit Kosovë – Mali i Zi, çfarë ju shqetësoi aq shumë në atë deklaratë?
Mendoj se deklarata e z. Rama ka ardhur si pasojë e mungesës së informacionit të plotë mbi çështjen, ose si pasojë e ndonjë keqinformimi të porositur nga kanale të kontrolluara prej z. Thaçi, i cili është shumë i interesuar që të zbatohet marrëveshja e padrejtë për demarkacionin. Por ajo marrëveshje nuk do të zbatohet, për shkak se argumentet e ekspertëve, por edhe dokumentet tregojnë se ajo linjë demarkacioni është gabim. Sigurisht që do të ketë një marrëveshje tjetër për demarkacion, dhe do të vendoset linja e drejtë kufitare mes Kosovës dhe Malit të Zi. Është për t’u vlerësuar se pala malazeze nuk po këmbëngul në vijën kufitare që pretendon Thaçi, dhe është e hapur për diskutim. Ne reaguam për të korrigjuar atë që neve na u duk qëndrim i gabueshëm. Por mendojmë se ky debat tashmë është i mbyllur, pasi vetë z. Rama e pranoi se ai është një person që nuk fal as det e as tokë, dhe kjo është pikërisht ajo çka ne presim prej tij e prej çdo politikani shqiptar. Deti e toka e shqiptarëve janë të dyja njësoj të rëndësishme, dhe janë çështje e sovranitetit të jashtëm kombëtar, dhe si të tilla, nuk i përkasin politikanëve, por popullit. Andaj mendoj se asnjë politikan nuk duhet të falë as det e as tokë.
Nga reagimet e autoriteteve të Malit të Zi dhe SHBA-ve e BE-së duket se nuk është temë e pëlqyeshme rihapja e përmbajtjes së marrëveshjes së demarkacionit. A besoni se komisioni që emëroi Kryeministri Haradinaj me ekspertët që e kundërshtonin demarkacionin, do të ketë kurajën ta mbrojë qëndrimin para partnerëve ndërkombëtarë?
Temë e pëlqyeshme për ta mund të mos jetë, sepse sigurisht që janë të interesuar ta mbyllin sa më shpejt këtë çështje. Por këtu bëhet fjalë për territor të Kosovës, dhe ne nuk mund të lejojmë që shpejtësia të jetë në kurriz të drejtësisë.
Po e përsëris që ne nuk jemi të interesuar në vonimin e marrëveshjes së demarkacionit, por veç në korrigjimin e saj. Kufiri duhet të jetë i drejtë, sipas dokumenteve e hartave historike. Kam shpresë se ekspertët dhe shkencëtarët që kanë integritetin profesional do ta mbajnë qëndrimin e njëjtë. Po ashtu, mendoj se z. Haradinaj nuk do të lëshojë pe në këtë drejtim. Ai e ka pohuar këtë edhe vetë, në një përgjigje që ia ka dhënë z. Rama.
Si mendoni ju që do të zgjidhej drejtë dhe pa pasoja marrëveshja e paratifikuar nga Kuvendi i Kosovës për versionin Thaçi të demarkacionit?
Marrëveshja duhet të rinegociohet. Por versioni mbi të cilin duhet të nisë rinegocimi, duhet të jetë një version i punuar prej akademikëve dhe ekspertëve të hartografisë e gjeografisë historike. Ky rinegocim nuk e pengon asnjë proces të rëndësishëm gjeopolitik. Tashmë Mali i Zi është në NATO, dhe Kosova është sigurisht aspirante për integrimet euroatlantike, pra parimisht ne jemi në të njëjtën anë gjeopolitike me Malin e Zi. Kjo situatë e favorizon mirëkuptimin mes Kosovës dhe Malit të Zi. Kosova nuk kërkon tokë të Malit të Zi, dhe Mali i Zi nuk besoj që kërkon tokë të Kosovës. Në fakt, ajo që quhet marrëveshje e demarkacionin nuk është as marrëveshje dhe as e demarkacionit, sepse nuk mund të jetë marrëveshje përderisa nuk ratifikohet në Kuvendin e Kosovës dhe as e demarkacionit përderisa Komisioni paraprak ka bërë delimitim, përkatësisht ndryshim kufiri, e jo demarkacion. Ajo ‘marrëveshje e demarkacionit’ ngeli veçse një ujdi e ministrave të asokoshëm të jashtëm e të brendshëm, z. Hashim Thaçi dhe z. Skënder Hyseni, me homologët e tyre malazezë./Tema