AKTUALITET, 21 Tetor 2017, 20:06

Oficeria e policisë, që ''fundos'' Tahirin

Oficeria e policisë, që ''fundos'' Tahirin

Zbulohet një detaj “bombë”, nga pjesa e mbledhjes së Këshillit të Rregullores, Mandatit dhe Imunitetit e zhvilluar me dyer të mbyllura, për shkak të kërkesës së kreut të Prokurorisë së Krimeve të Rënda, Besim Hajdarmataj, sepse do të dilnin detaje që përbënin sekret hetimor në çështjen “Tahiri-Habilaj”.

Me largimin e kamerave, gazetarëve, Tahirit dhe avokatit të tij, prokurorët u kanë treguar deputetëve të PS, PD dhe LSI se kanë marrë në mbrojtje një femër, oficere e policisë së shtetit që ka punuar edhe në Vlorë.

Ajo ka dëshmuar për trafikun e drogës nga Habilajt dhe lidhjet me ish ministrin e Brendshëm Saimir Tahiri. Dëshmia e saj u është vënë këtë të shtunë në dispozicion anëtarëve të Këshillit, Imunitetit dhe Rregullores.

Kjo oficere e policisë ka marrë tashmë statusin e “dëshmitarit të mbrojtur” nga prokuroria. Ashtu siç e bënë të qartë prokurorët edhe në pjesën publike kur kërkoi arrestimin e ish ministrit të Brendshëm, frika e tyre ishte se lënia e lirë e Saimir Tahirit, mund të ndikonte tek dëshmitarët dhe se mund të ndikonte për të prishur provat.