AKTUALITET, 21 Tetor 2017, 19:14

Hysi: Nuk mbrojtëm Tahirin, por standardet e drejtësisë!

Hysi: Nuk mbrojtëm Tahirin, por standardet e drejtësisë!

Vasilika Hysi, anëtare e Këshillit për rregulloren e mandateve, njëkohësisht deputete e mazhorancës u shpreh se provat e prokurorisë për kërkesën e arrestimit të Tahirit, nuk ishin aspak bindëse.

Në një prononcim për televizionin A1 Report ajo shtoi se prokuroria nuk mund të arrestojë Tahirin dhe më pas të mbledhë prova; për më tepër sipas saj dokumentet e hetuesve italianë nuk ishin të përkthyera.

Hysi tha se kërkesat e prokurorisë ishin të nxituara dhe se asnjë nga pyetjet e mazhorancës për argumentimin e kërkesave nuk mori përgjigje. Më tej deputetja socialiste inkurajoi prokurorinë që të vijonte hetimin duke theksuar se mazhoranca me qëndrimin e saj nuk mbroi Tahirin por standartet e drejtësisë.