AKTUALITET, 21 Tetor 2017, 17:06

Juristi i njohur: Nëse nuk votohet heqja e imunitetit të Tahirit, në parlament me dy relacione

Juristi i njohur: Nëse nuk votohet heqja e imunitetit të Tahirit,

Çlirim Gjata, ish kryetari i KQZ-së, njëherësh një nga juristët më të njohur në vend, në një prononcim për Tpz.al,  foli për vendimin e Komisionit të Mandateve, që pritet të merret nga çasti në çast, për heqjen e imunitetit të deputetit Saimir Tahiri, duke i hapur rrugë hetimit të prokurorisë.

Sipas Gjatës, nëse komisioni i cili ndahet në mënyrë të barabartë (5 deputetë të opozitës dhe 5 të mazhorancës), nuk bashkon votat për heqjen e imunitetit të ish Ministrit Tahiri, atëherë në seancën parlamentare, të thirrur të mërkurën, mund të shkohet me 2 relacione.

"Sot duhet marrë një vendim patjetër. Në seancën më të afërt parlamentare duhet që Komisioni i Mandateve të dërgojë një relacion, për heqjen ose jo të imunitetit të deputetit Saimir Tahiri. Nëse opozita dhe mazhoranca nuk bien dakord me njëra-tjetrën, atëhere do të shkojnë dy relacione, një për heqjen e imunitetin dhe një që e kundërshton"- u shpreh Gjata për Tpz.al.

Sipas juristit të njohur, pasi të dërgohen relacionet në parlament, atëherë do të votohet me shumicë të thjeshtë për heqjen ose jo të imunitetit. /TPZ.AL/