TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
“Unë do kërkoj nga prokuroria, vetë personalisht, me vullnet të lirë e pa përfituar nga asnjë lloj imuniteti parlamentar a politik, të hetohet e verifikohet gjthçka lidhur me mua e jo vetëm, me detyrën time e jo vetëm, me famlijen time e jo vetëm.” Kjo ishte deklarata e Saimir Tahirit të martën e 17 Tetorit kur emri i tij doli në media si pjesë e një dosjeje përgjimesh të një grupi të strukturuar kriminal. Bëhej fjalë për dosjen Habilaj, për kushërinjtë e ish Ministrit të Brendshëm me të cilët ai kishte kryer dhe një shitblerje makine me status tepër të paqartë juridik.
Kjo deklaratë la përshtypjen se Tahiri do të mbrohej si gjithmonë si të gjithë politikanët e tjerë shqiptarë në raste të ngjashme skandalesh ku betohen dhe përbetohen për pafajsinë e tyre dhe “gadishmërinë për të bashkpunuar” me organin e akuzës. Deklarata publike ishte një thirrje për të tijët për tu mobilizuar për ta mbrojtur, por njëkohësisht edhe për tu viktimizuar para popullit socialist (të cilit për hir të së vërtetës nuk ia ndien fare për të vërtetën por vetëm të shpëtojnë idolin e tyre). Nëse e rilexon sot deklaratën, 4 ditë, më pas të vjen në mendje një hipotezë. Mos vallë Saimir Tahiri nuk besonte se prokuroria do gjente kurajo për të kërkuar arrestimin e tij?
Flasim për një prokurori dhe kryeprokuror që ka pesë vjet që paralajmëron arrestime të forta në vjeshtë. Ndoshta Tahiri në këtë pike i ka bërë “hesapet pa hanxhinë”. Prokuroria më në fund në vjeshtën e pestë vendosi të bëjë arrestime të forta.
Por një ditë më pas Saimir Tahiri u duk i lënë në harresë dhe i braktisur edhe nga shefi i tij i Madh, kryeministri Edi Rama. Nëpërmjet një reagimi të fortë në Facebook, pasi akuzonte dhe shante pa fund opozitën mes rreshtash ushëheqësi socialist linte të kuptohej se nuk do kishte mbrojtje politike për Tahirin. Shumëkush nga media dhe gazetarët e cilësuan si një shitje të hapur që Rama po i bënte Tahirit. “Nuk jemi aspak një familje e përsosur, pa probleme e pa drurë të shtrembër në mesin tonë… Ne sot jemi plotësisht të angazhuar që Vetingu të bëhet deri në fund dhe drejtësia e re më në fund të vendoset. Për të gjithë, pa asnjë dallim.- shkruante mes të tjerave kryeministri i vendit dhe shefi politik i Saimir Tahirit. Pas kësaj dukej se fati politik dhe njerëzor i Saimir Tahirit ishte vendosur.
Një ditë më pas të enjten e 19 tetorit Tahiri u shfaq i përlotur në studion e Blendi Fevziut. Ai aludoi për një komplot që po bëhej kundër tij dhe la të kuptohej që pas kësaj goditje përveç opozitës, dhe presidentit Ilir Meta fshiheshin dhe njerëz të tjerë, brenda partisë së tij. “Nuk më intereson kush janë” tha ai, “do vijë dita që do të merem edhe unë me ta”. Ky kërcënim mes lotësh nuk ishte shumë bindës në pamje të parë. Dukej si deklarata e një njeriu të dëshpëruar që ka kapur fundin dhe nga dëshpërimi belbëzon shumë gjëra.
Kjo bindje u përforcua po atë ditë kur Taulant Balla kreu i Grupit Parlamentar Socialist foli hapur. “Nuk ka për të pasur asnjëherë në Kuvend një votë të PS-së kundër drejtësisë. Jemi këtu për t’i qëndruar fortë mesazhit që iu kemi dhënë shqipëtarëve.”
Mbledhja e Këshillit të mandateve hodhi dyshimet e para mbi qëndrimin e socialistëve. Lojrat që nisën me administratën e Kuvendit mbi shkresën e prokurorisë, jo ka ardhur jo ska ardhur, jemi gati etj ishin vetëm hijet e para. Mbledhja u la paraditen e të premtes.
Ndërkohë para se mbledhja të startonte anëtarët socialist të Këshillit të Mandateve u thirrën në kryeministri nga Edi Rama. Pak minuta por mjaftueshëm për të ndryshuar qëndrimet e tyre.
Mbledhja e nisi me një breshëri pyetjesh mbi prokurorinë. Pyetjet ishin po ato të njëjta pse e nisët procedimin me kaq nxitim, na tregoni provat etj?. Kryqëzatën dhe linçimin publik të tre prokurorëve që ishin paraqitur e kryesonte Kryetari i Komisionit të Ligjeve Ulsi Manja.
Opinioni në fillim mbeti i çuditur se përse një mbledhje procedure po zgjaste aq shumë dhe po kthehej në një gjyq publik për prokurorinë. Aq shumë kohë kërkonin socialistët sa Kreu i Komisionit Parlamentar të Ligjeve i pyeti prokurorët. “Pse keni ardhur deri këtu të kërkoni autorizim pse nuk e arrestuat deputetin Tahiri nëse keni prova?” Një pyetje e tillë e bërë nga një deputet aq më tepër Kryetar i Komisionit të Ligjeve në Kuvend është një skandal më vete. Dy janë hipotezat ose zoti Manja kërkonte kohë dhe po lunate me nervat e prokurorëve, ose nuk e njeh vërtet Kushtetutën e vendit dhe ky është një skandal më vete për republikën tonë të skandaleve.
Me kalimin e orëve media pranë qeverisë ngriti dyshime mbi provat dhe aftësinë e prokurorisë, ndërsa jashtë kryesisë së Kuvendit disa dhjetra fansa dhe mbështetës të Tahirit po tregonin dhe një herë se ne shqiptarët mbetemi një popull mitingash. Në mbrëmje deputetët socialist Blendi Çuçi, Ulsi Manja dhe Vasilika Hysi nxituan të tregonin çkishte ndodhur brenda mbledhjes me dyer të mbyllura. Sipas tyre nuk kishte prova për atë që kërkonte prokuroria. Paraditja e së shtunës ishte edhe më komike vetë i akuzuari për trafikim dhe si pjestar i një grupi të strukturuar kriminal ishte hedhur në sulm. Ish ministri i brendshëm Saimir Tahiri i kishte tharë lotët që derdhi tek Fevziu dhe filloi fyerjet, ndaj prokurorëve dhe ndaj deputetëve të djathtë.
Pasi anëtari i komisionit Enkeleid Alibeaj i vendosi deklaratën e vet Tahirit ta dëgjonin me zë dhe figurë se si kishte ndryshuar qëndrimi i tij në 4 ditë ndaj imunitetit, ish Ministri i Brendshëm u hodh në sulm. “ Unë sbëj burg për kushërinjtë e mi edhe një anëtar i familjes tënde ka bërë vrasje, pse sbën dhe ti burg” iu drejtua ai Alibeajt. Ndërsa kur iu kërkua të ruante etikën me prokurorët Tahiri ishte fare i qartë “Unë të paktën spo i quaj lavire bulevardi si Berisha”.
Qershia mbi tortë ishte dalja jashtë salle e Saimir Tahirit. Sipas tij fajin përsëri e kishte Saliu. Ai bëri thirrje të vinin në komision Saliu Luli, Monika Iliri dhe Fatmiri.
Gjithë ky gjarpërim i zotit Tahiri dhe mazhorancës së majtë tregon edhe një herë tjetër se Vettingu duhej bërë për popullin, reforma në drejtësi ëshët e shumëzuar me zero. Politikanët e majtë sot si edhe ata të djathtë dje nuk kanë ndërmend të lejojnë që drejtësia të godas ata. Me procedurë me akuza politike gjithmonë do përpiqen ti mbyllin skandalet sado të rënda qofshin. Sidoqoftë mosdhënia e Tahirit organeve të drejtësisë do e rrënojë plotësisht kredibilitetin e Ramës tek partnerët ndërkombëtar. Ky është një rast ku e ka nxjer atë dhe të vetët lakuriq.
TPZ.AL/J.O