AKTUALITET, 21 Tetor 2017, 18:23

Hipokrizia e Edi Ramës, "dashnorit" të reformës në drejtësi

Hipokrizia e Edi Ramës, "dashnorit" të reformës në

 

Kryeministri Edi Rama, ka urdhëruar deputetët që përfaqësojnë Partinë Socialiste në Këshillin e Mandateve, të votojnë kundër kërkesës së prokurorisë, për arrestimin e Saimir Tahirit. Për disa ditë me rradhë, ndaj prokurorëve është bërë një gjyq publik, nga anëtarët socialistë të një komisioni, i cili i ka tejkaluar kompetencat e tij. Ky komision ka kërkuar në mënyrë sistematike prova që tregojnë implikimin e Tahirit në trafikun e drogës, duke marrë dukshëm prerogativat e një gjykate.

Edhe kur prokurorët kanë paraqitur prova të qarta, që tregojnë dyshimet për implikimin e ish ministrit Tahiri, në trafikun e drogës, nga rradhët e mazhorancës ka patur argumenta qesharakë të tipit "si mund të fitojë një ministër 5 milion euro në muaj?", dhe kaq ka mjaftuar për të zbatuar direktivat e shefit, që e kishte vendosur fatin e Tahirit përpara fillimit të mbledhjes.

U bë një kohë e gjatë që Edi Rama, është shfaqur përpara publikut, si njeriu më i dashuruar me reformën në drejtësi. Rama e ka patur këtë reformë kalin e tij të betejës dhe e ka përdorur sistematikisht për përfitime politike.

Por sot, kur ish ministri i tij i brendshëshm është vetëm pak hapa larg qelisë, Edi Rama, ka vendosur ta pengojë me çdo mënyrë drejtësinë. Rama nuk po lejon heqjen e imunitetit de facto, të Saimir Tahirit, duke mos ja dorëzuar bashkëpunëtorin e tij gjykatës.

Ai nuk po lejon të vijojë procesi normal, duke paragjykuar veprimet e prokurorisë si të nxitura politikisht. I ndihmuar edhe nga mediat që kontrollon, Rama po thur teori konspirative me prokurorë që janë të lidhur me Sali Berishën, prokurorë me të afërm trafikantë apo tutorë prostitutash, prokurorë që duan të marrin në qafë ministrin e ndershëm dhe punëtor, Saimir Tahirin.

Sot më shumë se kurrë, përpjekja e Edi Ramës, për të ndërtuar reputacionin e njeriut që kërkon një shtet të drejtë dhe një drejtësi të reformuar, ka rënë përgjithmonë.

TPZ.AL