TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
Ngjarjet kriminale të javëve të fundit, duket se po i rrezikojnë karrigen, Drejtorit të Policisë së Shtetit, Haki Çako. Ministri i Brendshëm, Fatmir Xhafaj, ka lëshuar një ultimatum për prangosjen e atentatorëve të masakrës së Lushnjes por edhe për një seri ngjarjesh kriminale, ende të pazbardhura.
I shoqëruar dhe nga kreu i Policisë së Shtetit Haki Çako, ministri Xhafaj ka zhvilluar këtë mbrëmje një vizitë surprizë në komisariatin e Lushnjes nga ku ka kërkuar që personat e dyshuar për atentatin e 11 shtatorit të arrestohen.
Ministri Xhafaj nuk i ka kursyer tonet e ashpra gjatë takimit me drejtuesit e policisë në Lushnje, ndërsa ka paralajmëruar se do të merren masa të ashpra për të gjithë ata përsona të cilët kanë bashkëpunuar drejtpërsëdrejti apo në mënyrë indirekte me eksponentë të krimit në Lushnje.
Por sinjali duket se ishte tepër i qartë edhe për drejtorin e Policisë së Shtetit, Haki Çako, i cili kohët e fundit është zënë ngushtë me disa nga ngjarjet e rënda. Në qytetin e Vlorës janë kryer një seri vrasjesh për hakmarrje dhe larje hesapesh, ndërsa deri tani autorët e krimit janë në arrati. Ngjarja në Elbasan, ku efektivë të Policisë së Shtetit u tupëruan nga dy të rinjë të cilët ende nuk janë arrestar.
Në një takim në qytetin e Vlorës, Xhafaj paralajmëroi furtunë në Policinë e Shtetit, dhe që mund të prekë deri në kupolën më të lartë drejtuese, përfshi Haki Çakon.
"Është e papranueshme fakti që vetëm gjatë këtij viti janë 5-6 ngjarje të rënda, vrasje me viktima dhe jetë të pafajshme qytetarësh dhe zbulimi i autorëve lë shumë për të dëshiruar, për të mos thënë që për ne është jashtëzakonisht shqetësues. Gjë që do na detyrojë të bëjmë një analizë më të thellë me forcat e policisë dhe duhet të jetë e nevojshme për të bërë edhe ndryshimet edhe përmirësimet e duhura, qoftë në përbërje të tyre qoftë në drejtimin e tyre, por është shumë e rëndësishme këtu për të theksuar edhe një komponent të ri”, është shprehur Xhafaj.
I akuzuar shpesh-herë nga opozita dhe LSI për mbështetje në heshtje të eksponentëve të krimit, Haki Çako, njihet edhe si një nga njerëzit më të afërt të ish Ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri. Shkarkimi i tij nga detyra e Drejtorit të Përgjithshëm, do të mbyll njëherë e përgjithmon "epokën" e Tahirit në Ministrinë e Brendshëme, për të cilën e drejtoi për më shumë se 3 vite./TPZ.AL/