SPORT, 27 Nëntor 2017, 10:06

Kryendeshja Partizani-Skënderbeu, mësoni risitë e trajnerëve në formacion

Java e 12-të e Superiores mbyllet me ndeshjen e sotme Partizani-Skënderbeu, një sfidë rivalësh, pavarësisht se të kuqtë kanë mbetur prapa me pikë. Për ta është një 90-minutësh shumë i rëndësishëm, që tregon përfundimisht, nëse janë apo jo për titull.

Trajnerët Starova (i dënuar) dhe Daja kanë fiksuar tashmë si do të luajnë skuadrat e tyre në këtë ndeshje. “Bobit” i rikthehet Batha në qendër të mesfushës, ku do të luajë bashkë me Vilën, Trashi spostohet majtas, ndërsa në të djathtë pritet të aktivizohet Asani. Në sulm do të jetë sërish dyshja Progni-Bardhi dhe në mbrojtje Ibrahimi, Malota, Atanda dhe Kalari.

Në krahun tjetër, Daja është i detyruar të bëjë pa Vangjelin dhe në të djathtë të mbrojtjes do të luajë Taku. Pjesa tjetër e skuadrës është ajo që luajti me Dinamon e Kievit. Jashanica, edhe pse është gati, e nis nga stoli. Osmani shkatërrues dhe para tij Muzaka e Lilaj. Në sulm treshja Gavazaj-Xhejms-Soue.