AKTUALITET, 27 Tetor 2017, 17:17

Katalonja shpall Pavarësinë, Senati spanjoll autorizon zbatimin e nenit 155

Katalonja shpall Pavarësinë, Senati spanjoll autorizon zbatimin e

Përshkallëzohet situata në Spanjës pasi parlamenti rajonal i Katalonjës votoi për të shpallur pavarësinë nga Spanja.

Senati spanjoll autorizoi qeverinë e Madridit të zbatojë nenin 155 të kushtetutës spanjolle, i cili i jep fuqi qeverisë qendrore që të marrë “të gjitha masat e nevojshme për të detyruar” një rajon në rast krize dhe të aplikojë kështu masat kushtetuese për të ndërmarrë kontrollin e qeverisë së Katalonjës.

Me një votim shumicë nga ana e senatorëve, i është dhënë e drejta kryeministrit për të aplikuar masat e papara, duke përfshirë shkarkimin e presidentit rajonal katanalas Karles Puigdemont dhe kabinetit të tij.

Senati autorizoi gjithashtu kufizimin e kompetencave parlamentar të Parlamentit të krahinës që kërkon pavarësi nga Spanja.

Më herët, parlamenti rajonal i Katalonjës votoi për të shpallur pavarësinë nga Spanja. Vendimi u mbështet nga 70 deputetë, kundrejt 10 që votuan kundër, ndërsa deputetët e opozitës nuk morën pjesë në votim.

Kriza filloi kur katalanasit mbështetën pavarësinë në një votim të diskutueshëm më parë këtë muaj.


KATALONJA NË NUMRA

16% e popullsisë së Spanjës jeton në Katalonjë dhe prodhon:

25.6% të eksporteve të Spanjës

19% të Produktit të Përgjithshëm Bruto

20.7% të investimeve të huaja

Burimi: Ministria e Ekonomisë, Industrisë dhe Konkurrencës, Eurostat, Banka e Spanjës