AKTUALITET, 27 Tetor 2017, 13:54

Pas kontrollit të shtëpisë, Tahiri shkon në orën 14:00 në Prokurori

Pas kontrollit të shtëpisë, Tahiri shkon në orën 14:00

Gjatë katër viteve të fundit i kishte parë shumë ftohtë prokurorët nga pozita e Ministrit të Brendshëm, por kur të paraqitet në orën 14:00 në Prokurorinë e Krimeve të Rënda, ligjvënësi Saimir Tahiri, me siguri do të dalë me mendim tjetër.

Ditën e djeshme katër oficerë të policisë gjyqësore u paraqitën tek shtëpia e ish-ministrit, për të kontrolluar rreth dy orë banesën, pas urdhërit të Prokurorisë.

Ish-ministri i Brendshëm akuzohet për trafik droge dhe korrupsion pasiv i zyrtarëve të lartë.

Deputeti Saimir Tahiri po hetohet pas përgjimeve italiane të bandës së Habilajve, ku një prej të arrestuarve në Itali ka përmendur edhe emrin e ish-ministrit të Brendshëm.

Tahiri ka pranuar që ka lidhje të largët familjare me Habilajt, por mohon përfshirjen e tij në këtë grup kriminal.