AKTUALITET, 23 Tetor 2017, 09:35

Edi Rama pastron veten: Saimir Tahiri nuk ishte bashkëpunëtori im i afërt

Edi Rama pastron veten: Saimir Tahiri nuk ishte bashkëpunëtori im i

Kryeministri Edi Rama, u shfaq sot në një komunikim me deputetët e Partisë Socialiste, por që në fakt ishte më tepër një përpjekje për t'i folur për herë të parë publikut shqiptar për hallin e madh qe e ka zënë me çështjen Tahiri.

Rama e nisi fjalën e tij, duke thënë se pas nënës dhe babait të Saimir Tahirit, ishte ai që uronte që deputeti të ishte i pafajshëm.

Megjithatë, edhe pas kësaj deklarate mallëngjyese, Kryeministri, u kujdes maksimalisht të distancohej nga ish ministri i tij i brendshëm dhe  jo vetëm. Ai tha se për sa kohë Saimir Tahiri ka qenë në detyrë, Rama nuk ka patur kurrë komunikim me drejtorin apo oficerë të Policisë së Shtetit, dukshëm duke kërkuar të tregojë se ka qenë larg vendimeve të këtyre funksionarëve.

Nga ana tjetër, Rama bëri edhe distancimin e madh me Saimir Tahirin, duke u shprehur se ai nuk ka qenë bashkëpunëtori i tij i afërt dhe se kjo gjë ishte thjeshtë një perceptim i popullit, sepse atij i është dashur ta mbrojë për shkak të detyrës.

"Rrugëtimi i vështirë dhe peripecitë e ministrit të brendshëm më vunë në mbrojtjen publike dhe jo publike të tij. Këtu u krijua perceptimi i gabuar se ai ishte bashkëpunëtori im i ngushtë."

Ky distancimi i Edi Ramës, është në stilin e kryeministrit, i cili edhe në raste të ngjashme ka dashur gjithmonë ta largojë të "keqen" nga vetja. Megjithatë, tabloja që na paraqiti sot Edi Rama, si një njeri që nuk kishte dijeni për punët e policisë, apo si një njeri që raportin me Tahirin e kishte vetëm raport pune, është e pabesueshme për një pjesë të mirë të shqiptarëve. Kjo sepse Edi Rama, për katër vite që Tahiri mbajti detyrën e ministrit të brendshëm, e ka mbrojtur atë publikisht, jo për shkak të detyrës së tij, siç thotë sot, por më së shumti edhe për akuza personale që bëheshin ndaj ish ministrit. Një nga shembujt më konkret është denigrimi dhe poshtërimi që ai i bëri, Dritan Zaganit, pas deklaratave të tij, tashmë të provuara, për përfshirjen e makinës së Tahirit në aktivitetitn e bandës Habilaj.

Nëse kryeministri nuk do ta kishte bashkëpunëtor të afërt, Tahirin, atëherë ai minimalisht do kërkonte hetimin e çështjes, por kryeministri zgjodhi të hidhet në sulm frontal, duke mohuar dhe qesharakëzuar çdo akuzë ndaj Tahirit, për katër vite me rradhë.

TPZ.AL