TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
Deputeti i Partisë Demokratike, Enkelejd Alibeaj, një nga katër anëtarët që përfaqësojnë PD-në në Këshillin e Rregullores dhe Mandateve në Kuvendin Popullor, bëri akuza të rënda ndaj Kryeminstrit Edi Rama dhe ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri.
“Edhe pse drejtësia italiane solli mijëra faqe ku provohet katërcipërisht përfshirja e Tahirit, dhuratat me diamante që ka përfituar, miliona euro në muaj, 20 milionë euro që i duheshin për fushatën, ai sërish u mor në mbrojtje nga Edi Rama iu dha koha e mjaftueshme të prishë provat, e të kërcënojë dëshmitarët, përmes rrjetit kriminal që ka në kontroll”, - tha ish-ministri i Drejtësisë në daljen e tij të sotme nga selia e Partisë Demokratike.
“Rama nuk e lëshon kurrë Tahirin se janë bashkëpunëtorë dhe përfitues të aktiviteteve kriminale, për vota dhe para. Me Ramën, drejtësia ka rënë, shteti ka rënë, vetingu ka rënë. Është në fuqi vetëm kupola mafioze. Por shqiptarët janë sot më të vetëdijesuar se kurrë, dhe nuk kanë çfarë presin më për të marrë në dorë fatet e vendit.”, - tha Alibeaj.
DEKLARATA E PLOTË
“Provat e paraqitura nga prokuroria e krimeve të rënda për arrestimin e Tahirit dhe vendosjen para drejtësisë, janë jo vetëm bindëse, por më shumë, janë tronditëse.
Ajo çfarë po ndodh është se PS në komisionin e mandateve dhe imunitetit, me urdhër të Edi Ramës, nuk lejoi drejtësinë të funksionojë.
I dha kohë Saimir Tahirit të zhdukë çdo provë dhe objekt kompromentues, në shtëpi dhe në Ministri, duke qenë se Edi Rama ka vënë gjithë shtetin në dispozicion të paktit kriminal.
Pakti është që Tahiri t’ia hedhë pa u lagur, në mënyrë që të shpëtojë dhe Rama me të tijtë.
Përndryshe, nëse miratohej kërkesa e prokurorisë, Tahiri në rënien e tij, do të merrte me vete Edi Ramën, për shkak të dëshmive dhe materialeve të rënda që ka për të.
Edhe pse drejtësia italiane solli mijëra faqe ku provohet katërcipërisht përfshirja e Tahirit, dhuratat me diamante që ka përfituar, miliona euro në muaj, 20 milionë euro që i duheshin për fushatën, ai sërish u mor në mbrojtje nga Edi Rama iu dha koha e mjaftueshme të prishë provat, e të kërcënojë dëshmitarët, përmes rrjetit kriminal që ka në kontroll.
Historia është e thjeshtë.
Parlamenti gjykon vetëm legjitimitetin dhe ligjshmërinë e kërkesës, nuk pranon dhe nuk gjykon prova, se nuk është gjykate. Në asnjë ligj, edhe as në Rregulloren e Kuvendit për heqjen e imunitetit nuk është thënë që duhet të paraqiten prova, por vetëm kërkesë. Parlamenti gjykon politikisht dhe jo si gjykate.
Me urdhër të Ramës, parlamenti u kthye në hetuesi dhe gjykatë kundër prokurorisë.
Rama dhe Xhafaj sulmuan ashpër prokurorët. Saimir Tahiri u lejua të sulmojë, dhunojë dhe kërcënojë prokurorët.
E vërteta e Saimir Tahirit, është se me dijeninë e plotë dhe bekimin e Ramës, ai ishte kapiteni i narkoshtetit. Lidhja e Tahirit me krimin ka ndodhur shumë përpara se të behej ministër: ai ka qenë një nga njerëzit që ka përdorur banda dhe kriminele në zgjedhjet e vitit 2013. Ai u bë Ministër i Brendshëm, nga Rama, si garanci për kriminelet.
Ndaj, droga dhe krimi morën këto përmasa alarmante
Ndaj qindra tonelata droge kalonin gjithë territorin e vogël të Shqipërisë dhe nuk kapeshin asnjëherë.
Kjo shpjegon faktin pse radarët nuk punonin shumicën e kohës.
Kjo shpjegon faktin se si u vunë në dispozicion të avionëve të drogës, pistat ushtarake.
Tani është e qartë se:
Edi Rama ka dy standarde për drejtësinë, një për Tahirin dhe një për qytetarët e thjeshtë.
Rama nuk e lëshon kurrë Tahirin se janë bashkëpunëtorë dhe përfitues të aktiviteteve kriminale, për vota dhe para.
Me Ramën, drejtësia ka rënë, shteti ka rënë, vetingu ka rënë. Është në fuqi vetëm kupola mafioze. Por shqiptarët janë sot më të vetëdijesuar se kurrë, dhe nuk kanë çfarë presin më për të marrë në dorë fatet e vendit”.