AKTUALITET, 17 Nëntor 2017, 22:20

Debati për buxheti/ Spahiu: Në 2018, qeveria do të fusë dorën thellë në xhepat e qytetarëve

Debati për buxheti/ Spahiu: Në 2018, qeveria do të fusë

Deputeti i LSI-së, Përparim Spahiu, duke folur në seancën maratonë të parlamentit, për buxhetin dhe paketën fiskale të vitit 2018, deklaroi se qeveria vitin e ardhshëm do të ngushtojë më tepër lakun për të varfërit dhe të bizneset e vogla.

"Ju po tentoni t'ua ngushtoni edhe më shumë lakun qytetarëve, me propozimi për uljen e kufirit të TVSh-së nga 5 milionë në 2 milionë për biznesin e vogël, pavarësisht se Fondi Monetar Ndërkombëtar është shprehur kategorikisht kundër. Ministria e Financave e argumenton këtë me faktin se ulja e kufirit të TVSh-së do të ulë edhe informalitetin, por FMN-ja pohon të kundërtën. "Informaliteti dhe evazioni i taksave mund të rritet dhe efektiviteti i administratës së taksave ka të ngjarë të bjerë."- pohon FMN-ja. Por kë të besojnë qytetarët, propogandën e qeverisë apo FMN?"- deklaroi Spahiu.

Sipas deputetit të qarkut të Dibrës, paketa e re fiskale do të zgjerojë edhe taksën progresive, ku tashmë do të përfshihen edhe profesionet e lira.

"Qeveria po fut dorën thellë edhe në xhepat e qytetarëve. Tashmë me Paketën e re Fiskale do të kemi taksim progresiv jo vetëm mbi pagat, siç është aktualisht, por mbi të gjitha llojet e të ardhurave. Sipas skemës së re, për të gjitha të ardhurat, përfshirë edhe profesionet e lira, do të zbatohet taksa progresive nga 13 deri në 23%, në vartësi të nivelit të të ardhurave. Pra, të njëjtën taksë do ketë edhe një infermier, një mësues, një dentist, një noter apo një drejtor korporate." - shtoi më tej deputeti i LSI.

Spahiu kishte edhe një thirrje për qytetarëve, që të mos e lënë fatin e tyre në dorë të qeverisë.

"Mendoj se jemi në një situatë ku hendeku mes të pasurve dhe të varfërve po vazhdon të thellohet, ku të pasurit janë pasuruar edhe më shumë, kurse të varfrit kanë vijuar në ekstremin tjetër. Ju keni ndërtuar një Paketë Fiskale, që nuk do të nxisë ekonominë, por dëshpërimin dhe dëshirën për të lënë këtë vend. Ju po fundosni çdo shpresë, çdo ëndërr për të ecur përpara. Prandaj, është koha për reflektim, është koha që njerëzit të reagojnë dhe të mos lënë një grusht deputetësh të shkatërrojnë jetën e qytetarëve." - përfundoi fjalën e tij në parlament, Spahiu./TPZ.AL/