AKTUALITET, 26 Shtator 2017, 13:52

Besnik Mustafaj: PD po e fundosin një grup “Jeminësh”

Besnik Mustafaj: PD po e fundosin një grup “Jeminësh”

Një nga kritikët më të ashpër të Bashës që pas zgjedhjeve, Besnik Mustafaj e ka akuzuar atë se po e drejton PD me një sedër të sëmurë, dhe se po vendon inatin ndaj kundërshtarëve të partisë mbi interest e PD-së. Dhe sipas analizës që Mustafaji bën në Panorama, Basha kështu do ta ketë të vështirë të rikthejë PD-në në pushtet, vëtëm nëse mendon se një ditë Rama do të lodhet dhe do t’i lëshojë vendin.

“Pasi të ketë qetësuar sedrën e vet të sëmurë, do t’i kthehet, pse jo shpresës për të marrë pushtetin. Por kali i betejës, Partia Demokratike, do të jetë ligur aq shumë atëherë, sa nuk do ta mbajnë dot këmbët. “Djali i mirë” Lulzim Basha ka me siguri në prapamendim ndonjë marrëveshje tjetër nokturne kokë më kokë me Ramën, i cili, i tejngopur tashmë me ushtrimet kryeministrore, do t’i lerë zyrën e qëndisur me vizatimet e tij këmbëpule. Po a ka njeri në Shqipëri të besojë se Edi Rama do të ngopet një ditë me pushtet”? –ka shkruar ai duke shtuar se në rrugën qorre që është future po e gremisin edhe një sërë jeminësh: “Basha nuk dëshiron ta kuptojë se gojën e kritikëve e mbyll vetëm duke bërë mirë detyrën e kryetarit të Partisë Demokratike, e cila nuk është vatha e tij personale, por shtëpia e të gjithë demokratëve. Duke i hequr kësaj shtëpie gurin e themelit, siç bën, i ndihmuar edhe nga një grup jeminësh, nga budallallëku apo nga shejtanllëku, – njësoj është rezultati -, ai po e shtyn të djathtën politike shqiptare drejt një humnere, nga ku asaj do t’i duket një mundim i madh për të dalë. Unë nuk po flas pra thjesht për të shpëtuar shpirtin tim. Nuk do të doja të isha dëshmitar i kësaj katastrofe”.