AKTUALITET, 23 Nëntor 2018, 16:58

Vrasja e shqiptarit në Greqi, reagon Policia: Sigurojmë qytetarët dhe familjarët se...

Vrasja e shqiptarit në Greqi, reagon Policia: Sigurojmë qytetarët

Policia shqiptare ka reaguar në një deklaratë zyrtare në lidhje me vrasjen e një shtetasi shqiptar në Greqi. Në një njoftim për mediat, policia bën me dije se është informuar nga pala greke për këtë ngjarje dhe po punohet për zbardhjen e plotë të rrethanave.

“Policia e Shtetit siguron qytetarët dhe familjarët e viktimës se do të ndiqen të gjitha hapat në kuadër të bashkëpunimit diplomatik dhe policor dypalësh, për sqarimin e situatës dhe të rrethanave ku humbi jetën shtetasi shqiptar”, thuhet më tej në njoftim.

NJOFTIMI I PLOTË

Policia e Shtetit deklaratë për vrasjen e një shtetasi shqiptar në Greqi

Ditën e djeshme, Policia e Shtetit u informua nga Policia greke për vrasjen e një shtetasi shqiptar.

Sipas informacionit të Policisë greke, shtetasi A.M., 39 vjeç, humbi jetën gjatë një shkëmbimi zjarri.

Policia e Shtetit është në proces të vazhdueshëm shkëmbimi informacioni me Policinë greke për këtë çështje.

Ndërkohë që Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme po kryen hapat e nevojshme me autoritetet homologe greke, Policia e Shtetit siguron qytetarët dhe familjarët e viktimës se do të ndiqen të gjitha hapat në kuadër të bashkëpunimit diplomatik dhe policor dypalësh, për sqarimin e situatës dhe të rrethanave ku humbi jetën shtetasi shqiptar.