AKTUALITET, 23 Nëntor 2018, 15:02

Lirohet nga burgu Dashamir Xhika

Lirohet nga burgu Dashamir Xhika

Lirohet nga burgu Dashamir Xhika, ish-kreu i ARRSH, i cili tashmë do të hetohet në arrest shtëpie.

Ish-kreu i Autoritetit Shqiptar të Rrugëve u prangos mbrëmjen e 2 shkurtit me akuzën e korrupsionit dhe shpërdorimit të detyrës, ndërsa më 4 shkurt dhe 27 shkurt Krimet e Rënda dhe Apeli i Krimeve vendosën për të arrest me burg.

Xhika u akuzua për abuzime me fondet e rrugës Tiranë-Elbasan si dhe për atë të Gjinarit, ndërsa bashkë me Andi Tomën, ish-Drejtor i Rrugëve dhe disa zyrtarë, u arrestuan më 2 shkurt të këtij viti.

Përveç dëmit prej rreth 54 milionë dollarë, auditi konstatoi edhe një shkelje të disiplinës financiare, me vlerë rreth 16 milionë dollarë. Ky dëm, sipas auditit, është shkaktuar nga nënshkrimi i amendamenteve të kontratës, pa burime financimi.

Po kështu, raporti i dërguar në Prokurorinë e Krimeve të Rënda, shkruan se 25,220,016 dollarë dëme janë shkaktuar nga mosargumentimi i vonesave për zgjedhje teknike financiere të çështjeve të dala, moszbatimi i detyrimeve të lëna nga Këshilli Teknik për kontraktonin e rrugës, duke i lënë hapësirë këtij të fundit për pretendime në zbatimin e projektit për segmentin nr. 1, duke mos përfshirë asistencën e Avokaturës së Shtetit në këtë çështje.

Po kështu, 11,665,552 dollarë dëme janë shkaktuar në të njëjtën mënyrë si më lartë, por kësaj here për një segment tjetër të rrugës, atë nr. 3. Raporti thotë, se 10,816,007 dollarë dëme janë shkaktuar nga pagesat e dyfishta për punë të përfunduara më parë si edhe të shlyera para nënshkrimit të amendimit.

Bëhet fjalë për para të hedhura edhe një herë, që s’dihet se ku kanë përfunduar, për një punë që është kryer sipas një kontrate te vitit 2016. Raporti konstaton edhe një diferencë çmimesh mes llogaritjeve dhe aplikimit për disa punime të kryera në një segment tjetër, që kap shifrën e 2,916,900 dollarëve. Për transportin e disa materialeve të rrugës janë paguar 1,269,000 dollarë në mënyrë të pajustifikueshme.

Për punimet e kryera te “Useku i Mulletit”, është konstatuar një diferencë mes çmimit të aplikuar dhe atij të llogaritur prej 972,074 dollarësh. 632,839 dollarë dëme janë shkaktuar nga nënshkrimi i një amendament-kontrate me vlerë më të madhe se vlera e diskutuar dhe miratuar në parim nga palët; 454,000 dollarë dëme nga pagesa dy herë e projektit “Useku i Mulletit” dhe 36,955 dollarë nga shtimi i disa zërave për rehabilitimin e një segmenti shumë të shkurtër.