TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
Euro ka vijuar të shënojë një rënie të lehtë por të qëndrueshme edhe gjatë kësaj jave. Të premten, një euro u këmbye me 124.48 lekë, duke arritur në nivelin më të ulët që nga fillimi i qershorit. Në 5 qershor, euro zbriti në 124.17 lekë, niveli më i ulët në 10 vjet dhe më pas Banka e Shqipërisë ndërhyri në treg përmes tërheqjes së më shumë se 100 milionë eurove, duke e çuar euron në ditët e mëpasshme deri në 129-130 lekë, por më pas kursi u stabilizua në rreth 126 lekë.
Që nga mesi i shtatorit, kur Banka e Shqipërisë rralloi ndërhyrjet dhe më pas sinjalizoi tregjet se do ta linte kursin e lirë, euro filloi një zhvlerësim gradual.
Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, në një raportim të pak ditëve më parë në Kuvend tha se euro ka arritur në një normalitet të ri, prej 124 lekëve.
Rënie e euros ditët e sotme lidhet edhe me nënçmimin e saj në bursat ndërkombëtare. Një euro u këmbye sot me 1.35 USD, nga 1.4 që arriti një ditë më parë. Euro ra në bursa, pas sinjaleve se rritja ekonomike mund të ngadalësohet në eurozonë. Rritja e biznesit në eurozonë u ngadalësua shumë më shpejt sesa pritej këtë muaj, sipas Indeksit të Menaxherëve.
Pavarësisht luhatjeve në tregjet ndërkombëtare, euro mbetet e dobët në Shqipëri. Në përgjithësi, në tregun e brendshëm, oferta për valutë, pohojnë aktorët e tregut vijon që të mbetet e lartë, ndërkohë që qarkullimi i monedhës vendase mbetet i ulët. Në këto kushte pritet që presioni për nënçmimin euros të vijojë të jetë i pranishëm.
Nga 1 janari deri në 23 nëntor, kursi mesatar i këmbimit të euros është 127.9 lekë, nga 134 lekë që ishte mesatarja e vitit të kaluar, me një nënçmim prej 5.5 lekësh, duke u luhatur në nivelin më të ulët nga vitit 2008, kur monedha e përbashkët u këmbye mesatarisht me 122.8 lekë.
