TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
Më 19 Tetor Prokuroria e Krimeve të Rënda kërkon autorizim për arrestimin e ish-Ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri, ndërsa 2 ditë më vonë Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit largohet për një javë drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Sot pak ditë më pas kreu i SHISH, Visho Ajazi Lika jep dorëheqjen. Tre ngjarje në pamje të parë pa lidhje me njëra tjetrën. Akuzat e ardhura nga italianët për grupin e strukturuar kriminal të Habilajve flasin për përfshirjen e plotë të shtetit shqiptar në trafikimin e kanabisit.
Në përgjime flitet për mitmarrje, fikje radarësh dhe njerëz të policisë të përfshirë në trafik. Me një veprim të pazakontë me çkemi parë nga Prokuroria u kërkua arrestimi i ish Ministrit të Brendshëm. Pyetja që u bë rëndom nga gazetarët dhe publiku ishte “po drejtori i Policisë i njohur si i preferuari i Tahirit pse nuk hetohet apo arrestohet?!”. Largimi i Çakos drejt SHBA-së, u komentua si “arratisje”, si një lëvizje e një njeriu që sapo kishte shitur Saimir Tahirin etj.
Pa asnjë transparencë Haki Çako u kthye në 26 Tetor dhe tha thjesht “jam në Shqipëri, familja ime është këtu”, por asnjë arsye për këtë udhëtim të papritur në këtë kohë kritike për shumicën qeverisëse që e ngjiti në majën e Policisë.
Dorëheqja e kreut të SHISH është një tjetër pjesë e cila e shton vështirësinë e ndërtimit të mozaikut të jetës, publike, shtetërore dhe politike shqiptare. Visho Ajazi flitet se ka dërguar raporte pa fund për kanabizimin e vendit. Ndërsa kreu Demokrat Lulzim Basha reagoi pas dorëheqjes duke thënë se “Kryeministri Rama bëri presion të fortë politik mbi institucionin dhe individin.”
Do ishte paradoksale që një Kryeministër të jetë në gjendje të shantazhojë kreun e shërbimeve sekrete të vendit.
Ndërsa për çështjen Tahiri mazhoranca dhe opozita e kanë kanalizuar debatin në banalitet nëse ka prova për ta arrestuar apo jo Saimir Tahirin, për largimin e Drejtorit të Policisë një javë drejt amerikës dhe dorëheqjen e kreut të Shërbimit Sekret ka shumë heshtje e cila të trondit. I ngjan kodeve mafioze për mbylljen e gojës.
TPZ.AL