AKTUALITET, 9 November 2026, 12:17

"Privatizimi, me kërkesë të PS"/ Mediu dëshmon në GJKKO për “Partizanin”: Pas 20 vitesh më thonë cila është praktika?!

"Privatizimi, me kërkesë të PS"/ Mediu dëshmon

Fatmir Mediu është paraqitur mëngjesin e kësaj të hëne në ambientet e GJKKO-së. Ai është parë të futet në Gjykatën e Posaçme i vetëm, ndërsa u thirr për të dëshmuar në gjyqin e dosjes “Partizani”.

Nuk kam patur diskutim për këtë çështje më asnjë pronar, procesi po shkonte drejt privatizimit nga klubi, jo nga pronarët, që shkonte ndesh me ligjet e kohës. Kërkesa ka ardhur nga qeveri socialiste, dhe unë si ministër duhet të kisha kontinuitet”, u shpreh ai pasi doli nga GJKKO, ku dëshmoi për “Partizanin”.

Mediu tha se Sport Klub Partizani nuk kishte qenë pjesë e interesit të tij si ministër i Mbrojtjes. "Ministri është autoritet politik, nuk do çdo varësi. Ne ishim të angazhuar maksimalisht për anëtarësimin e Shqipërisë në NATO. Ministria e Mbrojtjes nuk ka shpenzuar asnjë qindarkë për Sport Klub Partizanin".

I pyetur nga gazetarët rreth çështjes së privatizimit të klubit Partizani, ish ministri i mbrojtjes Fatmir Mediu shprehu se ka pasur korrespondencë mes ministrave të qeverisë socialiste, e cila i është dërguar ministrit në largim të asaj kohe, Pandeli Majko që më pas është gjetur nga ministri i atëhershëm Mediu.

“Ka pasur një korrespondence mes ministrave të qeverisë socialiste e cila i është dërguar ish kolegut tim zotit Majko, dhe kur kam ardhur unë kam gjetur kërkesën. Ka patur dhe një kërkesë nga klubi për të ndjekur praktikën e cila ishte lënë për gjysmë sipas pretendimit të subjektit, dhe ministri nuk ulet të shkruajë qëndrimin e vet, ja drejton strukturave ushtarake kur është çështje ushtarak, kur është civile shefit të shtabit…

Pastaj përpunohet qëndrimi i ministrit, vjen me memo, siglohet nga autoritete që e kanë përpunuar dhe sipas rregullores, përmbajtja e materialit nuk është përgjegjësi e ministrit, por e atyre që e kanë propozuar. Të vish sot pas 20 vitesh të më thuash cila është praktika, në një kohë që e kishte detyrën për ta hetuar prokuroria, nëse nuk e ka prokuroria atëherë unë nuk mund ta kem. Nëse prokuroria nuk heton dokumentacionin e ministrisë unë nuk kam asnjë autoritet sot për të hetuar atë dokumentacion”, u shpreh Mediu.