SPORT, 10 Prill 2022, 09:28

Triumfi ndaj Veronës, Inzagi: Fitorja me Juventusin na dha besim

Triumfi ndaj Veronës, Inzagi: Fitorja me Juventusin na dha besim

Interi arriti një fitore tepër të rëndësishme pasditen e djeshme në stadiumin “Giuseppe Meazza” ndaj Veronës me rezultatin 2-0, me golat e Nikolo Barelës dhe Edin Xhekos.

Pas këtij triumfi në konferencën për shtyp është shfaqur trajneri I zikaltërve, Simone Inzagi, i cili ka komentuar këtë sukses:

Rikthimi te fitoret – “Mendoj se kemi fituar një ndeshje të rëndësishme të dielën e kaluar në Torino ndaj Juventusit nga ku na dha besim. Të gjitha skuadrat kryesore patën probleme, humbën disa pikë dhe disa lojtarë të rëndësishëm. Jam i lumtur për ndeshjen që bëmë me Veronën.

U përballëm me një kundërshtar që së bashku me Lacion, dhe Interin ajo ka sulmin më të mirë në Serinë A.”

Rinovimi i Perisiç – “Siç e kam thënë gjithmonë, unë jam në një klub të rëndësishëm që ka drejtues shumë të aftë. Perisiç po kalon një sezon të jashtëzakonshëm, ai vetëm duhet të mendojë për fushën dhe të vazhdojë kështu.

Kemi situata të tjera për të zgjidhur, dhe klubi do të kujdeset për to. Ne duhet të demonstrojmë forcën tone në fushën e blertë sepse nëse nuk kemi vazhdimësi mund të vijnë kritikat.”

Dëmtimet – “Barela kishte trullosje. De Vraj pati një shqetësim në kofshë, ndërsa Korrea pësoi një goditje në gju.”

Fitorja me Veronën – “Kemi punuar në futboll për shumë vite dhe rezultatet padyshim që ndikojnë. Ndeshja ndaj Veronës nuk ishte e lehtë, por djemtë ishin të mirë.

‘San Siro’ na ka udhëhequr, ishte një mbrëmje e mrekullueshme dhe ta shijojmë këtë sukses.”, përfundoi Simone Inzagi.