TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Le të jemi të qartë: MAS nuk ka qenë dhe nuk është prej shumë vitesh as ministri arsimi, as shkence, as edukimi. Ka qenë dhe është një strukturë burokratike, partiake dhe korruptive kundër shkencës, kundër arsimit cilësor, kundër dijes dhe edukimit qytetar. Kishte të drejtë Presidenti J. Milei kur e mbylli dhe prej atëherë vendi i tij u rrit në kuotat e renditjes globale për arsimin. Vetë KM e ka parë & vijon ta shohë MAS si post për qokë/dhuratë për ndonjë nga bashkëpunëtorët e vet të paaftë të mbetur pa poste. Nuk ka vend tjetër europian ku ministri i arsimit dhe zv/ministri të kapen 100% plagjiaturë me titujt e tyre dhe ata jo vetëm të mos penalizohen, por të promovohen në poste më të larta. Nuk ndodh askund që qeveria të kontaktojë studentë të huaj për të arritur kuotat minimale të klasave për të shpëtuar universitete partiake që nuk prodhojnë as shkencë, as arsim, as dije. Le të kujtojmë: rilindasit e donin dijen, shkrinë gjithçka patën për dijen. Këta që abuzojnë me emrin e tyre duan betonin dhe po bëjnë gjithçka vetëm për betonin. Për ta dija, libri, studentët dhe shkenca janë bezdi, harxhim parash dhe kohe, shkaktojnë alergji dhe vetë KM të vetmin libër që promovon në emër të Shqipërisë është libri i tij me vizatime.
Studenti simbol i djeshëm është në juridik, është nga zona elektorale e ministres recituese, por si universiteti ashtu edhe ministrja/deputete recituese heshtën. Zgjodhën anën e policisë, forcës, pushtetit. Studentët dhe protestuesit reaguan.
Pyetja thelbësore, - çfarë duhet të bëjë tjetër një qytetar, një komunitet, një qytet, një shoqëri që të dëgjohet, të respektohet? Nis letra dhe peticione. Heshtje dhe refuzim.
Bën protestë paqësore 3 muaj. Heshtje për kërkesat, fushatë denigruese ndaj protestuesve. Flet me zë të lartë. Nuk të dëgjojnë dhe me arrogancë të thonë “pusho”.
Flet kundër korrupsionit dhe vijojnë skandalet e reja të korrupsionit. Kërkon arsim cilësor dhe meritokraci dhe të vendosin ministër plagjiatë dhe individë pa asnjë meritë profesionale.
Kërkon të mbrohet hapësira publike dhe të përgjigjet duke prishur lulishtet e vetme që kanë mbetur në Tiranë, një bllok masiv betoni përpara Dajtit dhe pas Pallatit të Kulturës.
Flet për nevojën e shtetit të së drejtës dhe të thonë se vetëm Partia ka të drejtë dhe mund të ofrojnë drejtësi.
Flet për papunësinë dhe krizën e emigrimit dhe përgjigja, marrëveshje me Vietnamin, etj, për të zëvendësuar të pabindurit këtu.
Kërkon shkolla të reja, mjedise sociale dhe sporti, por bashkia/qeveria ua merr hapësirën shkollës e publikut për pallate betoni, (1 maji / fusha Ali Demi, viktimat e fundit).
Ndaj nuk ka dilemë, midis pushtetit arrogant dhe abuzues dhe studentëve, gjithnjë me studentët dhe për studentët. Midis sistemit oligarkik dhe patronazhist dhe qytetarëve të lirë, gjithnjë me qytetarët e lirë dhe për qytetarët e lirë. Midis plagjiatorëve elita të emëruara të regjimeve dhe dijes, aftësisë dhe lirisë akademike, për dijen, meritokracinë dhe lirinë akademike.