SPORT, 5 Prill 2022, 10:25

Mançester Junajtid i fiksuar pas Nagelsmanit, gjermani refuzon stolin e anglezëve

Mançester Junajtid i fiksuar pas Nagelsmanit, gjermani refuzon stolin e

Aktualisht Mançester Junajtidi është në kërkim të një trajneri të ri për sezonin e ardhshëm.

Ndërsa Erik ten Hag nga Ajaks Amsterdami ishte kandidati kryesor kohët e fundit, anglezët gjithashtu duket se janë të interesuar për Julian Nagelsmanin.

Ky i fundit u transferua nga Lajpcig te Bajerni në verën e kaluar dhe u konsiderua zgjidhja më e mirë për të zëvendësuar ish-trajnerin që fitoi gjithçka me Bajernin, Hansi Flik. Pas transferimit, vetë 34- vjeçari pohoi se të bëhej trajner ishte për të një ëndërr e realizuar.

Sipas raportimeve, Bajerni pagoi më shumë se 20 milionë euro për trajnerin e ri dhe i dha atij një kontratë 5-vjeçare duke e bërë të parin në historinë e klubit për paratë e shpenzuara dhe për jetëgjatësinë e kontratës.

Drejtuesit e kampionëve shpresojnë se Nagelsman mund të krijojë një epokë të re në Bavari.

Megjithatë, trajneri 34-vjeçar kohët e fundit është lidhur vazhdimisht me klubet më të mira europiane.

Gazetari i “Independent,” Miguel Delanei, raporton se Mançester Junajtid është i interesuar për Julian Nagelsmanin.

“Djajtë e Kuq” tashmë kanë pyetur nëse Julian Nagelsman do të jetë në dispozicion në fund të sezonit. Megjithatë, anglezët kanë marrë një “jo të fortë” si përgjigje.

Në fillim të vitit, në ishull qarkulluan raporte se Nagelsman thuhej se ishte kandidati i preferuar i Mançesterit duke parë edhe problemet që kishte ai në Mynih me Bajernin. Anglezët aktualisht drejtohen nga trajneri i përkohshëm, gjermanin Ralf Rangnik.

Megjithatë, 63-vjeçari do të lirojë postin e tij në fund të sezonit për t’i lërë vendin një tjetër trajneri me emër, i cili ende nuk është zgjedhur nga klubi anglez. Me Nagelsmanin jashtë liste, anglezët duhet të mendojnë një tjetër emër për t’i drejtuar në sezonin e ri.