SPORT, 4 Prill 2022, 20:57

Dështimi i Mançester Junajtid i kushton shtrenjtë Kristiano Ronaldos, portugezi humb 6 milionë euro

Dështimi i Mançester Junajtid i kushton shtrenjtë Kristiano

Kristiano Ronaldo po përgatitet të mbyllë një sezon zhgënjyes me Mançester Junajtid, jo ashtu siç shpresonte të ishte kur firmosi me “Djajtë e kuq” në verë. Ai mendonte se skuadra do të ishte përsëri protagoniste në kampionat dhe Europë, aq sa në kontratën e tij kishte vendosur bonuse të rëndësishme financiare.

“The Sun” ka zbuluar se dështimi i Mançester Junajtid në këtë sezon, do t’i kushtojë 6 milionë euro Ronaldos, i cili nuk do të përfitojë nga këto klauzola që ka vendosur në marrëveshjen me “djajtë e kuq”.

Ai mund të fitonte 3 milionë euro nëse skuadra triumfonte në Ligën e Kampioneve, ndërsa 1,5 milionë euro do të kalonin në llogarinë e tij bankare nëse ekipi triumfonte në Premier Ligë. Ka edhe premio të tjera për trofe që Mançester Junajtid nuk do të fitojë më, që çon në 6 milionë euro totalin e bonuseve që nuk do të përfitojë Ronaldo në këtë sezon.

Ndërkaq, është një bonus që ai do të sigurojë dhe është ai i golashënuesit më të mirë të skuadrës, të cilin e ka në xhep pasi ka realizuar 18 gola, duke lënë pas me diferencë të tjerët, pasi i dyti më i mirë është Bruno Fernandes me 9 gola.