SPORT, 3 Prill 2022, 23:02

Spektakël në “Derbin e Italisë", Interi triumfon ndaj Juventusit

Spektakël në “Derbin e Italisë", Interi triumfon ndaj

Interi ka triumfuar në Torino kundër Juventusit 1-0 me një gol të Calhanoglu me penallti (45'+5) dhe kampionët në fuqi i lëshojnë Milanit sinjalin se janë ata që do luftojnë deri në fund për titullin kampion. Zikaltrit nuk shkëlqyen, por pas 16 ndeshjesh i shkaktuan humbjen skuadrës së Maks Alegrit. Për herë të fundit i kishte mundur Atalanta, në fund të muajit nëntor.

Vrullshëm e nisi ndeshjen Juventusi, që tentoi golin menjëherë Vlahovic dhe Morata. Minuta të mira për bardhezinjtë, por nga ana tjetër edhe Interi mundohet të tregojë që është aty dhe rrezikoi me Skriniar pas një goditjeje këndi.

Qendërmbrojtësi goditi me kokë dhe u ndal nga portieri i skuadrës nga Torino. Një minutë më pas, në të nëntën, zikaltrit panë t’u tronditej traversa nga Kielini. Shumë me fat Interi, që e mbajti portën të paprekur.

Deri në minutën e 30-të Juventusi u mundua shumë të realizonte gol dhe provoi jo vetëm me Vlahovic, por edhe me Morata në dy raste, Kuadradon dhe Dibala. Më pas Interi nisi të gjente ekuilibrin dhe i mbylli hapësirat.

Një minutë para fundit të kohës së rregullt Dumfries u shkel në këmbë dhe u desh ndërhyrja e VAR që të akordohej penallti për Interin. Calhanoglu mori përsipër ekzekutimin dhe Szczesny e ndali, por më pas topi shkoi në rrjetë.

Për arbitrin ishte faull, por VAR i shkoi në ndihmë sërish dhe për shkak se De Ligt ishte futur në zonë penalltia duhej rigjuajtur. Turku i Interit nuk gaboi dhe e çoi topin në rrjetë, duke kaluar kampionët në fuqi na avantazh.

Në shtesën e pjesës së parë Vlahovic bëri edhe një tjetër tentativë, por pa mundur të shënojë. Me rezultatin 0-1 sërish iniciativa duhet të ishte e Juventusit, që pretendoi edhe për një penallti pas 10 minutash në pjesën e dytë. VAR konfirmoi se gjithçka ishte e rregullt.

Perisic në një moment u bë shpëtimtar për Interin, duke i hequr mundësinë e goditjes brenda zonës serbit Vlahovic në minutën e 58-të. Pesë minuta më pas Vlahovic bëri një lëvizje shumë të mirë në zonë, por goditi jashtë porte.

Radha më pas ishte për mesfushorin Denis Zakaria, i cili në hyrje të zonës goditi fort. Handanovic devijoi topin, që u ndal nga shtylla. Interi më vonë kishte dy mundësi për ta mbyllur ndeshjen, me Vidal që nuk mori topin mirë dhe Correa që goditi mbi tra.

Përpjekjet e Juventusit vijuan dhe në minutën e fundit shtesë Vlahovic kërkoi një penallti, por e kishte të kotë. De Ligt tentoi me një simulim të merrte 11-metërsh, kurse serbi i sulmit me kokë goditi më pas jashtë. Interi e ruajti epërsinë dhe ia doli të merrte tre pikët që e mbajnë në rrugën e duhur për të luftuar për titullin kampion.

Juventus-Inter 0-1
Shënues:
Calhanoglu (pen.) 45+5’