SPORT, 3 Prill 2022, 21:15

Uzuni lë shenjën e parë në La Liga, barazimi i Granadës ndaj skuadrës së Balliut mban edhe firmën e tij

Uzuni lë shenjën e parë në La Liga, barazimi i Granadës

Myrto Uzuni nuk ka gjetur ende rrugën e rrjetës në La Liga me fanellën e Granadës, por barazimi i sotëm 2-2  i skuadrës së tij ndaj Rajo Vajekanos së Ivan Balliut mban edhe shenjën e sulmuesit shqiptar.

Në një ndeshje që nisi shumë keq për Granadën, Rajo e pa veten në avantazh të dy golave pas një fillimi shumë të mirë që i bëri takimit. Por në pjesën e dytë, Komesana u ndëshkua me karton të kuq në radhët e Rajos dhe aty nisi kthesa e skuadrës vendase.

Uzuni u fut në fushë në minutën e 61-të dhe vetëm 6 minuta më vonë, një harkim i tij nga e djathta e sulmit u kthye në gol nga Molina duke shkurtuar diferencën.

Më pas, sulmet e Granadës vazhduan dhe në shtesën e takimit, skuadra e Uzunit ia doli të fitonte një penallti të cilin e transformoi saktësisht Mija duke vulosur barazimin 2-2.