SPORT, 8 Mars 2022, 19:06

Dinamo triumfon në sfidën e mbijetesës, fundos Skënderbeun në Korçë

Dinamo triumfon në sfidën e mbijetesës, fundos Skënderbeun

Një gol i Redon Mihanës në minutën e 2-të i ka mjaftuar Dinamos që të marrë tri pikët në Korçë përballë Skënderbeut vendas. Blutë kanë fituar 1-0 dhe u ka mjaftuar që të shkëputen pak nga fundi i renditjes ku mbetet tashmë i shkëputur Skënderbeu.

Goli i shpejtë bëri më të thjeshtë ndeshjen e skuadrës së drejtuar nga Bledar Devolli, e cila më pas mendoi si të administronte sa më mirë duelin dhe ia doli me sukses pas pavarësisht dominimit territorial, korçarët nuk prodhuan raste para portës.

Momentet e vetme të rrezikshme do të vinin në pjesën e dytë të duelit, me vendasit që ishin më ngulmues, por përsëri të paqartë para Simonit si në gjuajtjet drejt kuadratit, ashtu edhe në pasimin e fundit, duke shpërdoruar aksione të rrezikshme.

Kështu, sfida u mbyll me fitoren 1-0 të dinamovitëve të cilët kapërcejnë përsëri Kastriotin dhe për momentin, janë jashtë zonës së rënies direkte në Kategorinë e Parë.