SPORT, 8 Mars 2022, 11:45

Hakmarrja ndaj Interit/ Nëse largohet Dibala, Juventusi do të tentojnë yllin e Sasuolos

Hakmarrja ndaj Interit/ Nëse largohet Dibala, Juventusi do të

Paulo Dibala është gati që të ulet për herë të fundit në një tavolinë me drejtuesit e Juventusit, ku takimi i shumëpritur do të mbahet këtë javë, por në rast se akordi nuk do të gjendet, atëherë drejtori sportiv i bardhezinjve, Federiko Kerubini, e ka gati planin për të ardhmen.

Numri një i merkatos së Juventusit ka nisur bisedimet me klubin e Sasuolos për t’i rrëmbyer Xhakomo Raspadorin, talentin e radhës së futbollit italian, të cilin Interi e ka në krye të listës së tyre të dëshirave, por “Zonja e Vjetër” është gati të hakmerret ndaj klubit zikaltër, pasi këta të fundit janë munduar që të shqetësojnë Dibalën dhe menaxherin e tij, përpara se argjentinasi të vulosë të ardhmen e tij në Torino.

Për Raspadorin Juventusi është gati që të vërë në pjatë edhe 40 milionë euro, por me një nga ato tratativa si ajo me Manuel Lokatelin, ku paratë do të paguhen në një hapësirë shumëvjeçare, për të mos rënduar financat e rekordmenëve italianë.