TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka kërkuar dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama, duke e cilësuar atë si të vetmen zgjidhje për rikthimin e normalitetit në vend.
Në një deklaratë, Berisha ka reaguar ndaj qëndrimeve të kryeministrit për situatën e krijuar gjatë protestave të ditëve të fundit, duke e akuzuar për përshkallëzimin e situatës dhe për atë që e cilëson si dhunë 13-vjeçare ndaj qytetarëve.
“Edi Rama jep dorëheqjen, çdo cak është kaluar, çdo vijë e kuqe është shkelur. Fjalimet nga zyra nuk e kthejnë dot stabilitetin në vend”, u shpreh Berisha.
Ai kritikoi gjithashtu deklaratat e kryeministrit për protestat dhe akuzat ndaj studentëve e të rinjve, duke pretenduar se reagimet e ditëve të fundit janë pasojë e drejtpërdrejtë e qeverisjes së Ramës.
Sipas kreut të PD-së, kërkesa për largimin e kryeministrit është shprehur nga studentët dhe gjimnazistët që kanë marrë pjesë në protesta, por edhe nga qytetarë të tjerë që, sipas tij, i mbështesin ata.
Berisha paralajmëroi gjithashtu se situata mund të përshkallëzohet më tej, nëse kryeministri vijon të qëndrojë në detyrë, duke i bërë thirrje të mos e provokojë më tej situatën.
“Ka vetëm një zgjidhje për të rikthyer normalitetin në këtë vend. Ajo zgjidhje është: Rama jep dorëheqjen”, deklaroi kreu i opozitës.
Në përfundim, Berisha hodhi poshtë cilësimin e protestave si akte dhune nga ana e kryeministrit, duke argumentuar se ajo që po ndodh në vend është pasojë e asaj që ai e quajti “dhunë 13-vjeçare të Ramës”.
Fjala e Berishës
Së pari, duhet të shpreh mirënjohjen time më të thellë kongresmenëve të Kongresit të SHBA, Keith Self, Robert Aderholt për deklaratat e tyre në mbështetje të fuqishme të revoltës studentore, betejës së tyre kundër korrupsionit të niveleve më të larta.
Këto deklarata, që vijnë nga tempulli i demokracisë amerikane, janë frymëzim dhe inkurajim për studentët, gjimnazistët, qytetarët e Tiranës dhe mbarë Shqipërisë që në këtë mosbindje civile duan të ndahen përfundimisht nga regjimi i kakistokracisë, narkoshteti i parë dhe i vetëm i Edi Ramës, sistemi kleptokratik i tij.
Unë sot dua të ndalem pak në monologun vulgar të Padrinos së vendit dhe theksoj: Edi Rama jep dorëheqjen, çdo cak është kaluar, çdo vijë e kuqe është shkelur.
Fjalimet nga zyra nuk e kthejnë dot stabilitetin në vend.
Videot në 6 të mëngjesit ku ti vjell vrerin e zi nuk qetësojnë dot situatën alarmante ku ndodhet Shqipëria prej një javë.
Dokrrat me armiq të brendshëm dhe të jashtëm i ke trashëgimi gjenetike nga etërit e tu mizorë.
Filmat fantazi me dronë dhe eksplozivë janë një përpjekje e dëshpëruar e jotja, ose mbase një përpjekje që tani që të erdhi fundi për të zhdukur gjurmët e vjedhjes së madhe të dhjetëra milionëve euro në grehinën në oborr të kryeministrisë.
Ka vetëm një zgjidhje për të rikthyer normalitetin në këtë vend dhe e kanë shprehur me qartësi si kristali ata dhjetëra mijëra studentë e gjimnazistë këto ditë të protestës së tyre heroike.
Ajo zgjidhje është: Rama jep dorëheqjen.
Kjo kërkesë është shprehur qartë edhe nga qindra mijëra qytetarë që mbështesin studentët nga shtëpitë e tyre dhe absolutisht po të jetë nevoja edhe ata do zbresin në shesh krahas djemve dhe vajzave të tyre, ndaj mos e provoko më situatën më tej.
Zgjidhja është vetëm një: jep dorëheqjen menjëherë.
Dhuna e vërtetë nuk është ajo që ti mashtron.
Po si ke fytyrë dhe del e flet për dhunë para shqiptarëve?
Del në mëngjes dhe flet mbi një orë, e quan protestën e mbështetur nga mbarë bota, si flamë.
Fëmijët e Shqipërisë i quan të verbër dhe kokëboshë.
Akuzon studentët e të rinjtë për dhunë mor faqezi.
Jo, Edi Rama, ajo nuk është dhunë.
Ajo që ka ndodhur këto ditë është direkt pasojë e dhunës tënde.
Pasojë e dhunës tënde 13-vjeçare.
Dhe meqë ti del dhe në vend që të japësh dorëheqje, akuzon për dhunë, unë do ndalem pak t’u shpjegoj qytetarëve se cila është dhuna e vërtetë.
Dhunë, është rotacioni politik i bllokuar prej katër mandatesh nga armiku i egër i votës së lirë, Edi Rama.
Dhunë, është të bllokosh pluralizmin politik duke vrarë kështu shpresën e miliona shqiptarëve, duke mos lejuar zgjedhje të lira, duke rrëmbyer votën e lirë me bandat kriminale.
Ndaj ajo që po sheh ti tek studentët nuk është dhunë, është pasojë e dhunës tënde 13-vjeçare ndaj këtij populli dhe këtij vendi.
Dhunë është të arrestosh në vitin elektoral për të marrë mandatin kundërshtarët politikë.
Dhunë është të përdorësh të gjitha mjetet e shtetit, miliarda euro dhe ushtrinë e patronazhistëve terroristë elektoralë për të grabitur votën e shqiptarëve.
Dhunë, është të vrasësh shpresat e shqiptarëve duke bllokuar me kartelet e drogës rotacionin e pushtetit.
Dhunë, është t’u vendosësh studentëve tarifat më të larta në Evropë për studimet.
Dhunë, është nafta me çmimin, taksën dhe kontrabandën më të lartë në Evropë.
Dhuna, është gjuha jote e urrejtjes që prej 13 vitesh ti dhe organizata jote kriminale keni hedhur vrer mbi shqiptarët dhe të rinjtë. I keni quajtur shqiptarët sorra, çyrykë, zdromsa, korba, të tredhur dhe së fundmi kokëboshë dhe të tjera që nuk më lejon etika t’i shqiptoj.
Ndaj dhe ajo që po ndodh me studentët nuk është dhunë, është pasojë e dhunës 13-vjeçare të Edi Ramës.
Dhunë, është vjedhja e kafshatës së gojës të qytetarëve shqiptarë.
Dhunë është vjedhja e ilaçeve të të sëmurëve në spitalet tona.
Dhunë është vjedhja e ilaçeve të pensionistëve.
Dhunë është të lësh pensionistët me pensionet më të ulëta në rajon dhe çmimet ndër më të lartat në Evropë.
Dhunë çnjerëzore është kur ato para të vjedhura kthehen në saraje të tuat të krimit me 9 mijë metër katror park, kthehen në 300 apartamente për Lubinë tënde.
Dhunë është kur pensionet kthehen në shishe vere 33 mijë euro që ti Edi Rama shijoje me Agasin tënd.
Dhunë është kur 130 milionë euro të djegësit tënd për Tiranën nuk gjenden nam as nishan sepse i keni degdisur në kontot tuaja offshore.
Dhunë është kur ilaçet e të sëmurëve kthehen në luks të shfrenuar për ty dhe njerëzit e tu, ndërsa shqiptarët, ata shqiptarë që sot janë në shesh, nuk mbyllin dot muajin.
Dhunë është kur ti me Lubinë tënde ndërtoni rrugë me çmime 8 dhe 10 herë më të larta se në BE dhe vidhni së bashku mbi 90 përqind të investimit.
Dhunë është kur ti shpenzon në dy vite 21 milionë euro me avion taksi dhe transporton me valixhe diplomatike qindra e qindra milionë euro të vjedhura nga taksat e baballarëve të atyre studentëve që protestojnë dhe ti nuk lejon hetimin.
Dhunë është kur ti përdor mandatet e krimit për të mbrojtur Lubi Ballukun për qindra e qindra milionë që keni vjedhur së bashku.
Dhunë çnjerëzore është lënia e të sëmurëve me sëmundje plazike pa ilaçe jetike për jetën e tyre, kurse vetë me anëtarët e organizatës kriminale dispononi dhjetëra e qindra shtëpi.
Ndaj të jemi të qartë, ajo që ndodh me studentët nuk është dhunë, është pasojë e dhunës tënde 13-vjeçare.
Edi Rama, jep urgjentisht dorëheqjen!
Një institucion nuk bie kur digjet.
Një institucion kur paratë e tij shkojnë në bandat kriminale dhe i vjedh ti, siç ka ndodhur me AKSHI-n e Ergysit dhe Lindave të tua.
Një institucion bie kur shefja e SHISH kapet në bashkëpunim me kartelet e drogës.
Një institucion bie kur ministrja kapet duke vjedhur tenderat e rrugëve dhe pa asnjë lloj motivi e mbron me mandatet e krimit.
Prandaj Edi Rama je ti që ke djegur institucionet shumë kohë më parë se sa zjarri i studentëve t’i digjte ato.
Absolutisht unë dhe PD jemi kundër dhunës, por absolutisht dhuna është Edi Rama.
Dhunë mbi shqiptarët është Edi Rama.
Dhunë ndaj shqiptarëve është e Edi Ramës.
Dhuna është ndalimi i zgjedhjeve të lira jo për një, jo për dy, jo për tre, por për katër mandate.
Dhunë është vjedhja.
Dhunë është arroganca 13-vjeçare e pushtetit.
Si kujton që shqiptarët do duronin këtë dhunë shtazore të ushtruar mbi ta për 13 vite?
Jo, jo, edhe ata do reagojnë.
Prandaj të jemi të qartë, revolta e studentëve është vetëm pasojë e vetëm pasojë e dhunës 13-vjeçare të Edi Ramës.
Edi Rama, jep dorëheqjen.
Jep dorëheqjen se nuk të ka ngelur më asgjë për të qeverisur.
AKSHI-n e vodhe vetë me Agasët e tu.
Bashkia e Tiranës ka rënë.
SHISH ka rënë.
Qeveria të është shndërruar në organizatë kriminale.
Ministritë i ke të mbyllura prej një jave.
Parlamentin e mbylle nga frika.
Po qeveris një asgjë.
Vetë je njeriu më i urryer në Shqipëri dhe më gjerë.
Ke marrë fund Edi Rama.
Nuk i demonizon dot ti studentët si dhunes.
Dole sot me një gur për t’i fajësuar studentët. Po pse nuk del njëherë edhe me pushkën që ke qëlluar dje mbi studentët?
Pse nuk del me kockat që u ke thyer dhe kafkat që u ke çarë studentëve paqësorë?
I ke qëlluar me plumba gome në fytyrë kur me ligj është e ndaluar.
Pse nuk dole me gazin helmues që ke hedhur mbi fëmijët shqiptarë sikur të ishe Asadi i Sirisë?
Pse nuk dole me shkopinjtë e gurit dhe pllakat e hekurit të policëve tu që u theve këmbët gjimnazistëve dhe çave koka?
Pse nuk del me armët që u qorruan prindërit e studentëve në protestë?
Pse nuk del me pamjet e masakrës në sallën e Ministrisë së Arsimit?
Pse nuk del me cubat pa uniformë që nxjerr në mesnatë që rrëmbejnë vajzat minorene me furgona?
Edi Rama, mos i hyj lojës së akuzave për dhunë sepse ti je nëna e dhunës, gjeneratori i dhunës dhe krimit në Shqipëri.
Jep dorëheqjen, qeveri teknike, kjo është zgjidhja e vetme politike për vendin.