AKTUALITET, 18 October 2026, 13:26

Kryepiskopi Joan: Shqipëria është e të gjithëve, vendimet të merren në shërbim të vendit

Kryepiskopi Joan: Shqipëria është e të gjithëve,

Kryepeshkopi i Tiranës, Durrësit dhe gjithë Shqipërisë dhe primati i Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë, Joan Pelushi, ka bërë thirrje për urtësi dhe pjekuri në marrjen e vendimeve që prekin vendin, duke theksuar se Shqipëria u përket të gjithë qytetarëve.

Në përfundim të Liturgjisë Hyjnore të ditës së sotme, Kryepiskopi Joan u lut që Perëndia të ndriçojë të gjithë ata që kanë përgjegjësinë e marrjes së vendimeve, në mënyrë që ato të jenë në shërbim të interesit të përbashkët.

“Lutemi që Perëndia t’i ndriçojë të gjithë ata që kanë përgjegjësinë e vendimeve, të marrin vendime të urta dhe të pjekura në shërbim të të gjithë vendit. Sepse Shqipëria është e të gjithëve”, u shpreh ai.

Kryepiskopi theksoi gjithashtu se të gjithë ata që jetojnë në Shqipëri janë pjesë e saj dhe kanë të drejtën të kontribuojnë në ndërtimin e vendit.

“Prandaj, i lutemi Zotit që të ndriçojë mendjet për të marrë vendimet e duhura dhe shpresojmë që lutjet e të drejtëve Perëndia do t’i dëgjojë”, përfundoi Kryepiskopi Joan.

Mesazhi i tij vjen në një periudhë të tensionuar në vend për shkak të protestave të dhunshme që kanë përfshirë Tiranën dhe qytete të tjera.

“Shqipëria është e të gjithëve” përfundon mesazhi i Kryepiskopit Joan.