AKTUALITET, 13 Tetor 2017, 13:26

‘Qelbet’ parlamenti, garë kush është i lidhur më fort me krimin

‘Qelbet’ parlamenti, garë kush është i lidhur më

Prej disa orësh vijon seanca parlamentare në Kuvendin e Shqipërisë, ndërsa nuk kanë munguar akuzat, replikat dhe batutat mes kryeministrit, liderit të opozitës dhe deputetëve të të dyja kampeve. Kështu, Basha dhe Kryemadhi, akuzuan Ramën se është bërë një me krimin dhe publikuan foto të kryeministrit me njerëz të kërkuar nga Interpoli, për krime e trafiqe.

I menjëhershëm ka qenë edhe reagimi i Ramës, që i ka përmendur Bashës Gërdecin dhe 21 Janarin, si dhe pasojat që ato kanë lënë pas, ndërsa kreu i grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla nxitoi të publikojë foto nga fushata e PD, ku shfaqej Basha nën shoqërinë e personave të inkriminuar.

Në Kuvend nuk munguan as akuzat e ish liderit të opozitës, Sali Berisha, ndaj Ramës si përdorues droge, por edhe një kundërpërgjigje për sharjen e djeshme. ‘Je një m... në një copë mëndafshi’, i tha Berisha kryeministrit, ndërsa vazhdoi fjalën duke theksuar se Edi Rama është nën efektin e drogës, ndaj tundet kur flen në kuvend.

Krahas emrave të rëndësishëm të skenës politike, në akuzat për lidhje kriminale përfunduan edhe shumë prej deputetëve të thjeshtë, të të dy kampeve, si dhe disa prej ministrave të qeverisë 'Rama 2'.

E ndërsa pritet që të zhvillohet një debat konstruktiv për çështje si reforma zgjedhore, ajo në drejtësi dhe një sërë reformash të tjera, që janë kyçi i integrimit për në BE, dy kampet politike e ‘qelbin’ seancën, duke garuar me njëri-tjetrin, se kush ka lidhje më të forta me krimin.

TPZ.AL