AKTUALITET, 23 Tetor 2017, 11:00

Prokuroria i drejtohet Ramës: Në Kroaci u arrestua kryeministri, për një orë dore

Prokuroria i drejtohet Ramës: Në Kroaci u arrestua kryeministri,

Prokuroria e Krimeve të Rënda, jep shembuj sesi funksionon drejtësia në shtetet fqinje. Në reagimin ndaj kryeministrit Rama, organi i akuzës i kërkon që të mos marrë rolin e gjykatësit, një atribut që nuk i takon as me Kushtetutë dhe as me ligj.

Prokuroria shkon më tej duke thënë se standartet europian janë të shumta, duke nisur që nga Kroacia, hetimet e të cilëve, të nisura për një orë dore, përfunduan me arrestimin e, më tej, me dënimin e kryeministrit të atij vendi.

"Prokuroria për Krime të Rënda ka pasur kënaqësinë, disa kohë më parë, të dëgjojë përvojën e homologëve të saj në Kroaci, hetimet e të cilëve, të nisura për një orë dore, përfunduan me arrestimin e, më tej, me dënimin e ish-kryeministrit të atij vendi. Gjithashtu, përvoja të ngjashme të suksesshme ka pasur edhe në vende, si Rumania e të tjerë. Prokuroria për Krime të Rënda është e bindur se i gjithë faktori politik shqiptar, i mbështetur edhe nga partnerët më të rëndësishëm ndërkombëtarë, hartuan Reformën në Drejtësi, duke pasur si guidë të suksesshme përvojën kroate e rumune, të cilat i ndihmuan për t’u integruar në Bashkimin Europian." - shprehet organi i akuzës.

"Nëse hetimet e Prokurorisë do të shoqërohen me ndërhyrje flagrante të politikës, atëherë qëllimi i Reformës në Drejtësi për luftën kundër korrupsionit dhe pandëshkueshmërisë në nivele të larta, do të jetë një sfidë e cila nuk do të përballohet me sukses." - përfundon deklaratën Prokuroria e Krimeve të Rënda./TPZ.AL/