AKTUALITET, 4 Tetor 2017, 09:25

Prangosja e avokatit për mashtrim, çfarë i ndodhi shoferit të tij para dy vitesh

Prangosja e avokatit për mashtrim, çfarë i ndodhi shoferit

U vu në pranga nga policia e Tiranës, avokati për të cilin dyshohej për përfitimin me anë të mashtrimit, prej familjarëve të një personi që kishte humbur jetën në një aksident automobilistik.

Burime zyrtare të Policisë së Tiranës thanë se i arrestuari është 56-vjeçari nga Kukë- si, Myrteza Myftari, i cili studion e tij ligjore e ka në kryeqytet. Myftari është denoncuar disa ditë më parë nga familjarët e viktimës, të cilët pretendojnë se avokati ka përvetësuar 2.7 milionë lekë të rinj, të përfituara si dëmshpërblim për dëmin shëndetë- sor me pasojë vdekjen dhe ua ka dhënë duke i mashtruar.

Ka qenë shtetasi me iniciale M.S., që ka bërë kallëzim në zyrat e Antikrimit Ekonomik të Tiranës, ku ka deklaruar se shumën e parave të përfituara i dyshuari e kishte marrë më shumë se 4 vite më parë dhe nuk ua ka dhënë, duke e përfituar vetë dëmshpërblimin që i takonte familjes.

Bëhet fjalë për një ngjarje të ndodhur në vitin 2013, kur një kalimtar, shtetasi me iniciale F.R., është përplasur për vdekje nga një automjet. Nisur nga kallëzimi i familjarëve të viktimës, Policia ka kryer verifikimet e nevojshme dhe ka kryer arrestimin e avokatit me akuzën e mashtrimit dhe shpërdorimit të detyrës.

Shoferit të avokatit i vunë tritol në makinë 2 vjet më parë

Edhe para dy vitesh emri i avokatit Myrteza Myftari u lakua në kronikat e publikuara në media, pasi shoferi i tij i shpëtoi një atentati me eksploziv.

Më 16 maj të vitit 2015, në makinën e shtetasit A.A., shofer i Myftarit, u gjet një sasi tritoli dhe një granatë.

Burime nga Policia e Tiranës thanë në atë kohë se mesazhi ishte për avokatin, megjithatë ai e mohoi.

Tritoli dhe granata ishin të lidhura me një fije me diskun e makinës dhe shpërthimi do të ndodhte sapo mjeti të vihej në lëvizje. Pakoja u gjet në gomën e automjetit tip “Benz”, me pronar shtetasin A.A., nga Kukësi, banues në Tiranë, shofer i avokatit Myrteza Myftari.

I dëmtuari banonte pranë zonës që njihet si “Fusha e Aviacionit”, ndërsa makinën e kishte parkuar afër banesës. Me t’u lajmëruar për gjetjen e tritolit, ekspertët xhenierë arritën ta çaktivizojnë këtë mekanizëm shpërthyes.

Granata do të aktivizohej me anën e një fijeje teli, e cila ishte e lidhur me ndezësin e granatës, që ishte lidhur me gomën. Për të arritur një efekt më të dëshirueshëm, autorët kishin shtuar edhe një pako të vogël tritoli, e cila mendohet se ishte e paketimit 50 gramë, teksa lënda plasëse do të shpërthente në momentin e lëvizjes së mjetit. Pas evidentimit të granatës, policia rrethoi zonën dhe largoi banorët që ndodheshin aty pranë.

Nga burimet e policisë u mësua se pronari i mjetit ishte i punësuar si shofer i avokatit Myrteza Myftari, i cili ushtron aktivitetin e tij në Tiranë. Nga ana e tij, avokati pranoi se kishte njohje familjare, por se ky person nuk punonte si shofer i tij./Panorama

Përgatiti: tpz.al