TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
Dy zyrtarë të lartë në kurthin e Xhillarit, ju mori 5 milion euro përpara arratisjes
Disa muaj përpara zbulimit të skandalit me naftën virxhin, Adrian Xhillari, mori 5 milion euro me fajde nga dy zyrtarë të lartë. Ai premtoi se do të investonte në energjitikë, por 6 muaj më pas u arratis nga Shqipëria pasi prokuroria kishte rënë në gjurmët e shitjes së 4.4 milion litra naftë virxhin. Dy zyrtarët nuk bënë asnjëherë kallëzim për paratë e dhëna “hua”. Adrian Xhillari, një bos lokal nafte në Shqipëri, i shpallur në kërkim në muajin Maj 2015 nga autoritetet shtetërore ka mashtruar edhe dy persona të njohur publikë, duke u marrë 5 milionë euro. Pronari dhe administratori i kompanisë së naftës “Tea Oil” akuzohet nga prokuroria për mospagim taksash në vlerën e 2.2 milionë eurove. Xhillari ka hedhur në treg 4.4 milion litra naftë virxhin me një vlerë rreth 5 miliard lekë. Ai u largua nga Shqipëria pak kohë përpara se gjykata të lëshonte një urdhër-arresti ndaj tij. Në fillim të vitit 2015, Adrian Xhillari, ka kërkuar mes kolegëve shumën e 5 milion eurov, për të realizuar disa investime të tjera në fushën energjitike. Xhillari, i njohur si mik i eksponentëve të rëndësishëm të të majtëve në pushtet në Shqipëri në kohën kur ata kanë qenë në opozitë, nuk e ka pasur të vështirë të bind dy milionerë shqiptarë për t’i huazuar njëri 2 milion euro dhe tjetri 3 milionë euro. Huadhënësit janë persona të njohur dhe me funksione të rëndësishme zyrtare, por investigim.al nuk bën publik emrat e tyre pasi zyrtarët e mashtruar nuk kanë depozituar kallëzim pranë organeve kompetente. Dy zyrtarët kanë besuar se mund të shtonin të ardhurat e tyre pa u lodhur, bazuar në fuqinë ekonomikë të Xhillarit, por sidomos për njohjet e duhura që ai kishte në hierarkinë e lartë shtetërorë dhe administrative. Një ndër këto lidhje, të cilën ai e reklamonte gjithnjë në rrethe biznesmenësh, ishte miqësia me Lula Njebza, ish-zv.drejtore e Përgjithshme e Doganave, e cila ishte në këtë detyrë prej ardhjes në pushtet të Partisë Socialiste, në verën e vitit 2013. Njebza duket se ishte e preferuar e qeverisë së re të majtë, edhe pse ajo ishte larguar nga administrata doganore në vitin 2005, pas një serie shkeljesh të rënda gjatë drejtimit nga ana e saj të Doganës së Durrësit, qytet me portin më të madh bregdetar në Shqipëri. Por ajo që nuk kishte dalë në dritë deri në fillim të vitit 2015, kur Xhillari “arkëtoi” në formë borxhi me interes 5 milion eurot ishte një mashtrim i madh ndaj shtetit, që “Tea Oil” kishte realizuar në Gushtin e vitit 2014. Rreth 4.4 milionë litra naftë e papërpunuar, të gjendura në depozitat e kompanisë së Xhillarit në periferi të kryeqytetit Tiranë, “u zhdukën” pa lënë gjurmë gjatë transportit për në zonën e Ballshit, zona e vetme e përpunimit të gazit të lëngshëm në Shqipëri. Brenda një jave, në harkun kohor 15-21 gusht 2014, kamionë naftëmbajtës të “Tea Oil” dhe kompanive të tjera të transportit, morën të gjithë sasinë e naftës bruto, natyrisht nën mbikqyrjen e segmenteve të caktuara të administratës doganore, dhe e shpërndanë atë në pika karburanti në qytete të ndryshme të Shqipërisë. I sigurt se kjo histori mashtrimi do të zbulohej, Xhillari largohet nga Shqipëria në muajin Maj 2015, duke marrë me vete edhe 5 milionë eurot e dy milionerëve shqiptarë që kishin shpresuar se do të pasuroheshin më tej nga transaksionet financiare të tij. /BIRN/TPZ.AL/