AKTUALITET, 12 Dhjetor 2017, 17:28

Meta-Orlando: Konsensus politik, për implementimin e reformës në drejtësi

Presidenti i Republikës, . Ilir Meta priti sot në një takim të veçantë, Ministrin e Drejtësisë së Republikës Italiane, zotin Andrea Orlando.

Presidenti Meta vlerësoi bashkëpunimin e shkëlqyer dhe partneritetin strategjik mes dy vendeve dhe shprehu mirënjohjen për mbështetjen shumë domethënëse që Italia i ka dhënë Shqipërisë për konsolidimin e shtetit ligjor.

Duke u ndalur në reformën në drejtësi, Presidenti Meta vlerësoi bashkëpunimin shumë të mirë mes institucioneve të drejtësisë së dy vendeve dhe përshëndeti Memorandumin e Mirëkuptimit dhe të Bashkëpunimit të arritur sot mes Ministrave të Drejtësisë së Shqipërisë dhe Italisë.

Presidenti Meta theksoi në mënyrë të veçantë që, rëndësia e implementimit të reformës në sistemin e drejtësisë, pëfshirë këtu edhe çështjen e Prokurorit të Përgjithshëm, kërkon bashkëpunim mes aktorëve politikë me të njëjtën frymë konsensusi, siç ajo e shprehur në ndryshimet kushtetuese të 21-22 korrikut 2016.

Bashkëpunimi i aktorëve politikë në vend duhet të jetë edhe në këtë faze të procesit i udhëhequr nga parimet kushtetuese dhe këshillat e Komisionit të Venecias – nënvizoi Presidenti Meta.

Të dy bashkëbiseduesit ndanë të njëjtin mendim se për reformën në drejtësi dhe luftën kundër krimit të organizuar është shumë e rëndësishme që të forcohet besushmëria e bashkëpunimit mes institucioneve të drejtësisë dhe agjencive ligjzbatuese të dy vendeve.