AKTUALITET, 12 Tetor 2017, 21:16

Meta në Kosovë: Jam kundër ndryshimit të kufijve

Meta në Kosovë: Jam kundër ndryshimit të kufijve

Presidenti i Shqipërisë, Iliri Meta në një intervistë dhënë Radio Televizionit të Kosovës (RTK), është shprehur kundër idesë për ndryshim të kufijve në Ballkan. Ai ka thënë se ndryshimi i kufijve nuk është një zgjidhje, sepse me këtë do të hapej Kutia e Pandorës, që sipas tij, do të çonte drejtë zhvillimeve të paparashikueshme .

“Përderisa vendet tona synojnë anëtarësimin në BE, ekziston vetëm një zgjidhje, zgjidhja evropiane për çështjen e kufijve që ata të bëhen të padukshëm dhe mos të jenë pengesë në marrëdhëniet në mes dy vendeve. Kjo është zgjidhja më e mirë. Së dyti në Ballkan çdo komb diku është shumicë dhe diku pakicë dhe është tepër e vështirë që të gjendet një zgjidhje “, tha presidenti shqiptar Meta.

Ai ndërkaq, tha se Kosova dhe Shqipëria duhet të interesohen më shumë për shqiptarët në Maqedoni dhe kudo që jetojnë ata. Duke folur rreth prioriteteve të të dyjave vendeve (Kosovës dhe Shqipërisë), i pari i shtetit shqiptar tha se prioritetet e të dyja vendeve janë bërja e kufirit sa më të padukshëm dhe sa më i pa- bezdisshëm për qytetarët e dy vendeve. Gjithashtu si prioritet tjetër përmendi edhe çështjen e turizmit dhe shkëmbimet tregtare , duke vënë në theks bashkëpunimin e doganave dhe zhbllokimin i çështjes së energjisë që është bllokuar nga Serbia .

“Mbledhja e 27 Nëntorit në mes dy qeverive do të japë përgjigje konkrete për shumë çështje konkrete që i shqetësojnë qytetarët e dy vendeve. Jam i bindur se do të kemi produkte të shpejta dhe të prekshme”, tha presidenti i Shqipërisë Ilir Meta.

TPZ.AL