AKTUALITET, 16 Tetor 2017, 16:39

Mashtrim me vizat gjermane, arrestohet deputeti Milaim Zeka

Mashtrim me vizat gjermane, arrestohet deputeti Milaim Zeka

Policia e Kosovës ka konfirmuar për “Insajderin” se sot ka arrestuar deputetin e Nisma për Kosovën, Milaim Zeka.

“Mund të ju konfirmojmë se sot Policia e Kosovës ka intervistuar personin me inicialet M.Z. lidhur me veprën qe ndërlidhet me “Mashtrim” dhe shmangie nga tatimi. Lidhur me këtë rast Policia e Kosovës te gjitha veprimet e mëtejme do ti ndërmerr ne konsultim dhe koordinim me prokurorinë kompetente”, ka thënë Daut Hoxha për Insajderin.

Arrestimi i Zekës ka ndodhur pak ditë pasi  ‘Insajderi’ ka publikuar hulumtimin për një skemë mashtrimi me viza, në të cilin dyshohet se Zeka ka qenë i implikuar, duke krijuar një biznes të tillë bashkë me partnerin e tij biznesmen Ilir Kransiqi.

920 kosovarë kanë provuar të emigrojnë në Gjermani me viza pune nëpërmjet një agjencie punësimi, e cila në fakt ishte një skemë mashtrimi e deputetit Milaim Zeka dhe partnerit të tij, Ilir Krasniqi, ka raportuar Insajderi, më 3 tetor të këtij viti.

Sipas hulumtimit të kësaj gazete, aplikantët kanë paguar nga 50 euro deri në 3500 euro për një vizë pune. Por, në vend të punësimit dyshohet se aplikantët janë gjendur brenda një skeme mashtrimi, të cilën Prokuroria ka nisur hetimet për krim të organizuar, mashtrim dhe shmangie nga tatimi.

Partneri i Zekës, Ilir Krasniqi, tashmë ndodhet në paraburgim, pasi për të njëjtën skemë ishte arrestuar para disa javësh. (Insajderi.com)