AKTUALITET, 16 Tetor 2017, 16:22

Përkujtohet legjenda e Partizanit, mbrojtësi i famshëm Safet Berisha

Përkujtohet legjenda e Partizanit, mbrojtësi i famshëm Safet

Në përvjetorin e ndarjes nga jeta të Safet Berishës, Federata Shqiptare e Futbollit kujtoi legjendën e futbollit shqiptar me një aktivitet të zhvilluar në Muzeun Historik Kombëtar.

Një kënd i dedikuar me fotografi që tregonin momentet më të rëndësishme të karrierës së kapitenit legjendar të Partizanit, por edhe të Kombëtares Shqiptare. Të pranishëm ishin familjarët, por edhe personalitete të rëndësishme të futbollit në vend, nga ish-lojtarë dhe trajnerë, si edhe presidenti i Federatës, zoti Armand Duka.

“Respektojmë kujtimin dhe kontributin e shquar që ka dhënë në futbollin shqiptar një figurë e madhe si Safet Berisha. Ai do të kujtohet për kontributin te Partizani, por edhe në Kombëtaren Shqiptare. U nda nga jeta një vit më parë, por ne e kujtojmë në këtë përvjetor dhe do të vazhdojmë ta kujtojmë.”

Safet Berisha, i cili ishte një prej figurave emblematike të Partizanit në vitet 1970-80 dhe që është përfaqësuar në 21 ndeshje me Kombëtaren shqiptare, u nda nga jeta në Itali, në moshën 66-vjeçare, pas një sëmundje të rëndë.