AKTUALITET, 16 Tetor 2017, 10:32

Ç'po ndodh me llotarinë amerikane?!

 

Faqja online, www.dvlottery.state.gov, ku plotësohet formulari për llotarinë amerikane, vazhdon të jetë e bllokuar. Ka kaluar pothuajse një javë që prej bllokimit të këtij procesi.

Në faqen e llotarisë nuk jepet asnjë njoftim konkret lidhur me situatën e krijuar, por thjesht thuhet se kjo faqe ka rënë dhe se është në riparim. Ende nuk dihen arsyet e rënies së faqes, por mendohet se ngarkesa e tepërt të ketë sjellë rënien e serverit.

Ambasada Amerikane në Tiranë ka publikuar sot një njoftim të rëndësishëm, ku thuhet se personat që kanë aplikuar deri tani për llotarinë, do të duhet të aplikojnë sërish sepse aplikimet e deri tanishme nuk do të merren parasysh.

Ja njoftimi i plotë i ambasadës amerikane:

Për shkak të problemeve teknike, periudha e regjistrimit për Lotarinë DV-2019 do të rifillojë nga e para. Të gjitha regjistrimet e bëra përpara datës 18 tetor 2017 do të duhet të ribëhen në mënyrë që të merren në konsideratë. Ne na vjen keq për shqetësimin e krijuar për aplikantët e vizave të shumëllojshmërisë. Për të siguruar drejtësi dhe për të mbrojtur integritetin e procesit për të gjithë ata që janë të interesuar, ne duhet ta rifillojmë procesin e regjistrimit për këtë vit (DV-2019). Periudha e re e regjistrimit për Lotarinë DV-2019 do të hapet të Mërkurën, 18 tetor 2017, në orën 18:00 ora lokale e Shqipërisë dhe mbyllet më 22 nëntor 2017, ora 17:00 ora lokale e Shqipërisë. Nëse keni ndonjë pyetje mbi regjistrimin, jeni të mirëpritur të na shkruani këtu. Udhëzimet e Lotarisë gjenden tek faqja e Ambasadës në: https://goo.gl/5SjV6h #AskAnna

TPZ.AL