AKTUALITET, 26 Shtator 2017, 17:18

Lubonja: Shqipëria është e mbytur në provincializmin e vet

Lubonja: Shqipëria është e mbytur në provincializmin e vet

Analisti Fatos Lubonja, i ftuar në rubrikën "Opinion", në News24, foli për zgjedhjet parlamentare në Gjermani. Ai u shpreh se këto zgjedhje, janë edhe një sinjal i fortë për mënyrën sesi do të integrohet vendi ynë në Bashkimin Europian.

"Shqipëria është e mbytur në provincializmin e vet. Nuk po e shikojmë që fatet e Shqipërisë janë të lidhura me fatet e Europës. Jemi shumë të izoluar, ndërkohë që fatet tona duket se i kemi lënë në dorë të Europës. Mendoj se ne nuk kuptojmë përgjegjësitë tona, për mbarëvajtjen e një projekti europian. Me këto zgjedhje në Gjermani lind edhe problemi sesi do të shkojë integrimi europian." - u shpreh Lubonja.

Sipas tij, partitë tradicionale kanë pësuar rënie në këto zgjedhje, ndërsa shohim lulëzim të partive populiste, të euroskeptikëve.

"Zgjedhjet në Gjermani janë të krahasueshme dhe me zgjedhjet në Francë. Në një krahë vihet re ulja e votës për partitë tradicionale, si CDU-ja e Angela Merkel si dhe partia e social-demokratëve. Ka rënie deri në 18 % për të dy partitë, por nga ana tjetër, kemi rritje të partive populiste, partitë euroskeptike." - u shpreh Lubonja./Tpz.al