TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ka dalë në një konferencë për shtyp, nga selia e kësaj partie, për të komentuar zgjedhjen e kryeprokurores Arta Marku dhe aksionin opozitar pas këtij akti të njëanshëm të mazhorancës.
"Dje është konsumuar një puç kushtetues. Vendi është futur në një spirale anormaliteti. Edi Rama ka dhunuar Kushtetutën. Qëllimi ka qenë kapja e prokurorit. Qëllimi është mbyllja e dosjeve që implikojnë bashkëpunëtorët e tij. Protestat që do të vazhdojnë janë reagim kundër puçit të qeverisë. Kur Kushtetuta dhunohet, dhunohet çdo njeri, pavarësisht prej bindjeve politike dhe statusit të tij."
Basha u shpreh se protestat janë shprehje e revoltës së qytetarëve dhe se vendi po shkon drejt destabilizimit.
"Protesta është shprehje e revoltës së qytetarëve kundër mashtrimit për reformën në drejtësi. Dje është provuar se Edi Rama është i vendosur në rrugën e tij anti – reformë. Ka vetëm një dhunim, shkatërrimi dhe dhunimi i Kushtetutës. Kjo do të ketë pasoja të rënda për stabilitetin dhe demokracinë në vend. Shqipëria ka standartin perëndimor, europian, amerikan. Në çdo vend të botës nëse do të zbulohëj se ministri i brendshëm është koka e trafikut të drogës, qeveria do të ishte rrëzuar. Në çdo vend perëndimor, Tahiri duhet të ishte në burg dhe Edi Rama nën hetim", u shpreh Basha.
I pyetur nëse opozita do ta çojë çështjen e zgjedhjes së kryeporkurores, në Gjykatën Kushtetuese, Basha u shpreh se kjo gjykatë është e paralizuar dhe për këtë arsye ai do t'i drejtohet vetëm popullit.
"Qytetarët nuk mund të pranojnë që kushtetuta të dhunohet. Gjykata Kushtetuese nuk është zjarrëfikës dhe forcë paqeruajtëse. Gjykata Kushtetuese është e paralizuar, si rezultat i ofensivës së narko shtetit, ndaj e vetmja zjgidhje është një përballje politike."
Basha nuk dha një përgjigje për propozimin e Sali Berishës, për djegien e mandave, duke u shprehur se opozita i ka të gjitha opzionet mbi tryezë dhe se do të merret vendimi më i mirë për vendin.
/TPZ.AL/