AKTUALITET, 18 Tetor 2017, 15:44

Ja shifrat e krimit në Shqipëri

Sipas INSTAT në tremujorin e tretë 2017 janë kryer 9.900 vepra penale, rreth 10,3 % më shumë, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2016, ndërkohë që janë regjistruar 10.068 autorë të veprave penale, të cilët janë 23,8 % më shumë krahasuar me tremujorin e tretë 2016.

“Pjesën më të madhe të veprave penale e zënë “Krimet kundër pasurisë dhe në sferën ekonomike” me 40,3 %, “Krimet kundër autoritetit të shtetit” me 38,3 %, dhe “Krimet kundër personit” me 19,0 %”, thuhet në raportin e INSTAT.

Në tabelën e publikuar nga Instituti i Statistikave raportohet se veprat penale kundër personit në T3 2017 janë 1884 me 2212 autorë, veprat penale kundër pasurisë dhe në sferën ekonomike, 3993 me 3506 autorë, vepra penale kundër mjedisit, 107 me 123 autorë; krime kundër pavarësisë dhe rendit kushtetues 1 vepër penale me një autor. Në aktet terroriste vihet re një ulje e numrit të veprave penale të këtij lloji për T3 2017, me 5 vepra të evidentuara dhe me 3 autorë.