TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
Ministri i Brendshëm, Fatmir Xhafaj, në daljen e parë publike, pas publikimit të dosjes ‘Habilaj’, u tregua i rezervuar, duke u munduar të shmangë komentet. I pyetur për këtë çështje dhe implikimin e ish ministrit Saimir Tahiri, në bisedat mes trafikantëve, Fatmir Xhafaj refuzoi të mbajë një qëndrim zyrtar, ndërsa theksoi se është në pritje të përfundimit të hetimeve.
“Dosja Habilaj nuk i përket policisë së shtetit. Ajo i takon drejtësisë italiane dhe jam i predispozuar të pres përfundimin e hetimeve, para se të bëj komentin tim. Nuk jam si politikanët e tjerë që bëhen prokurorë dhe flasin ende pa përfunduar hetimet”, tha ministri Xhafaj.
Gjithsesi, në fjalën e tij, në kuadër të luftës kundër trafikut të qënieve njerëzore, Xhafaj, ndonse indirekt, nuk harroi të vlerësojë edhe punën e paraardhësit të tij, gjatë katërvjeçarit të fundit.
“Në katër vite Shqipëria ka bërë përmirësime të dukshme në kuadër të luftës kundër trafikimit të qënieve njerëzore, por është koha të mobilizohemi të gjithë për t’i dhënë fund njëherë e mirë këtij fenomeni. Duhet të rritim bashkëpunimin edhe me vendet e tjera, që të jemi më efikasë në luftën tonë”, tha Xhafaj.
Ministri i Brendshëm nuk kurseu as kritikat ndaj sistemit të drejtësisë, teksa theksoi se duhet të vihen para përgjegjësisë shumë prokurorë dhe gjykatës të korruptuar.
“Ka shumë prokurorë dhe gjykatës të korruptuar, të cilët duhet të vihen para përgjegjësisë. Krimi është marrë në mbrojtje nga sistemi i drejtësisë, duke mos u ndëshkuar, ndaj duhet t’i shkëputim njëherë e mirë këto lidhje”, tha ministri.