SPORT, 9 Korrik 2018, 20:15

Deshamp është i qetë para Belgjikës: Kur ndalëm Mesin…

Deshamp është i qetë para Belgjikës: Kur ndalëm

Franca luan nesër ndaj Belgjikës mundësinë e saj për të shkuar në finalen e madhe dhe për të tentuar fitoren e Kupës së Botës. Trajneri Didier Deshamp ka qenë ai që e ka ngritur lart trofeun në vitin 1998, në suksesin e vetëm të “gjelave” dhe i ka idetë e qarta se për të pasur një shans tjetër për të ngritur Kupën, tani si trajner, do t’i duhet të ndalë talentet shpërthyes të Belgjikës.

Megjithatë, ai është i qetë në një farë mase, pasi ekipi i tij ka ditur si të bllokojë lojtarë të talentuar edhe në ndeshjet e mëparshme të këtij turneu. “Jemi të përgatitur për çdo rastësi, pavarësisht mënyrës së si do të zbresin ata në fushën e lojës. Do të jetë si në ndeshje të tjera, njëlloj si kur u përballëm me Mesin në 1/16. Kante bllokoi mirë Mesin dhe e vërteta është që kur Leo luajti kundër nesh, nuk e pamë në fushë”, theksoi trajneri.

Një sfidë e veçantë në këtë ndeshje do të jetë me një nga personazhet që ulet në pankinën e Belgjikës, ish-sulmuesin Tierri Henri i cili festoi përkrah Deshamp atë Kupë Bote të 20 viteve më parë.

“Është një situatë e çuditshme, shpesh edhe e vështirë, por ndodh. Ai do të sfidojë vendin e tij nga pankina kundërshtare. Por e dinte që në fillim, që kur pranoi rolin e zëvendëstrajnerit të Martinez, që një gjë e tillë mund të ndodhte. Megjithatë, do ta takoj me shumë kënaqësi dhe do të kujtoj kohën kur ai ishte një i ri në kombëtare dhe unë isha kapiteni thuajse në fundin e karrierën”, deklaroi Deshamp në konferencën e fundit para sfidës.