AKTUALITET, 23 Shtator 2017, 19:53

Apollonisë i duhet jo vetëm rruga gjarpëruese

Apollonisë i duhet jo vetëm rruga gjarpëruese

      Për të kaluar nga qyteti i Fierit në fshatin Pojan, duhet përshkuar 4 km rrugë që prej vitesh nuk njeh asnjë investim. Por, kjo nuk mbaron këtu. Veç banorëve të zonës, të cilët, të mësuar me këtë rrethanë, me ose pa dashje e shkelin këtë rrugë përditë, kjo është një sakrificë e njohur dhe me pagesë madje, për shumë turistë të huaj, që e vizitojnë Apolloninë, pikërisht përmes kësaj të vetmeje rrugë.

      Në pjesën më të madhe të këtij segmenti rrugor, gjendja është e rënduar edhe për shkak të punimeve për ndërtimin e autostradës Fier-Levan. Por, me gjithë vështirësitë e kalimit për në Apolloni, numri i turistëve njohu shifra rekord krahasuar me vitet e mëparshme. Vetëm gjatë verës së nxehtë këtij viti, Apollonia priti në mjediset e saj të lashta plot 14 mijë turistë, 6 mijë prej të cilëve, gjatë muajit gusht.

     Banorët shprehen, se, investimi për këtë zonë të rëndësishme historike, do të ishte një ndihmesë e madhe jo vetëm për komunitetin, por edhe për turistët kuriozë.