AKTUALITET, 23 Shtator 2017, 17:41

Shqiptarët ëndërrojnë një Europë që nuk ‘i qas’

Shqiptarët ëndërrojnë një Europë që nuk

Më shumë se 1.1 milion njerëz, nga 2.2 milionë, të cilët kanë paraqitur një kërkesë për azil në BE, Norvegji dhe Zvicër, ende nuk e dinë nëse aplikimi i tyre do të pranohet. Një sondazh i kompanisë amerikane "Pew Research", thekson se aplikantët nga Shqipëria kryesojnë listën e azilkërkuesve, me nivelin më të lartë të përgjigjeve të pakthyera.

      Kështu  rreth 89% e aplikantëve shqiptarë  ose 75 mijë nga 80 mijë që kanë aplikuar, midis 2015 dhe 2016, janë duke pritur të njohin statusin e tyre në Europë, në fund të vitit 2016. Këtë e përforcon edhe fakti se, në vend të dytë renditet aplikantët nga Kosova, ku nga 65 mijë aplikimie, 50 mijë janë ende në pritje të përgjigjes. 

Më pas renditen vende si Aganistani, Irani, Serbia, Rusia. Fqinjët tanë, serbët, kanë dorëzuar 200 mijë kërkesa për azil, 50 mijë nga të cilat, kanë marrë një përgjigje. "Pew Research" vlerëson se, rreth 100,000 njerëz, të cilëve u është refuzuar kërkesa, kanë ikur diku në Evropë, ku jetojnë në mënyrë të paligjshme.

      Së fundmi autoriteteve shqiptare u është përcjellë shqetësimi nga disa vende europiane për të frenuar fluksin e azilkërkuesve, që mbetet ende i lartë. Edhe Komisioneri i Zgjerimit, Johannes Hahn, e bëri të qartë gjatë takimit rajonal të kryeministrave të rajonit, që u mbajt në Durrës, se shqiptarët nuk duhet as ta mendojnë azilin.

Për azilkërkuesit nga disa vende, pjesa që është në pritje të përgjigjes është shumë më e lartë se ajo që është miratuar, sipas vlerësimeve të reja. “Pew Research” konsideron se kjo është vala më e madhe e azilkërkuesve, që kontinenti ka përjetuar prej Luftës së Dytë Botërore./respublica